Poeti i njohur, Ali Podrimja, dhe studiuesi i ri, Nysret Krasniqi, janë dy laureatët e çmimit letrar kombëtar "Azem Shkreli" që jepet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës. I pari është vlerësuar me çmimin për veprën jetësore, ndërsa i dyti me çmimin për librin më të mirë në fushën e letërsisë të botuar brenda vitit. Në bazë të vendimit të jurisë profesionale, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Valton Beqiri, ka nënshkruar vendimet për dhënien e Çmimit Kombëtar dhe atij vjetor "Azem Shkreli". Sipas vendimit të jurisë në përbërje të Jusuf Buxhovi (kryetar), Arif Demolli (anëtar) dhe Dr. Avdi Visoka (anëtar), Çmimi Kombëtar "Azem Shkreli", i cili i jepet krijuesit të dalluar për vepër jetësore, i cili me krijimtarinë e vet ka lënë gjurmë të thella në fushën e letërsisë, në krijimtarinë dhe në veprimtarinë e tij, i është dhënë poetit Ali Podrimja, ndërkohë që çmimi vjetor "Azem Shkreli", për veprën më të mirë në fushën e letërsisë të botuar brenda vitit, i është dhënë Nysret Krasniqit për veprën "Udha kratilike". Në arsyetimin e jurisë për ndarjen e çmimit kombëtar "Azem Shkreli", veç tjerash, thuhet se Ali Podrimja është padyshim zëri më i veçantë, më origjinal, më kumbues, më depërtues, më me ndikim në poezinë tonë të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar dhe të fillimit të shekullit tonë, duke shtuar se ky çmim është një mirënjohje e vogël për krijimtarinë e madhe e të jashtëzakonshme të këtij poeti. Podrimja ka qenë i vetmi i nominuar për këtë çmim, prandaj edhe nuk është surprizë dhënia e këtij çmimi atij, pasi nuk ka pasur ndonjë konkurrent. Për këtë çmim ai ka qenë i nominuar nga "Pen Qendra" e Kosovës.