Pas 20 vjetësh përpjekje, “Allegretto Albania” përfaqëson Shqipërinë në bienalen e Wisbaden dhe kthehet me çmimin e kritikës. Drama e shkruar nga Stefan çapaliku dhe vënë në skenë nga Altin Basha në Teatrin Kombëtar, është vlerësuar me pikët maksimale nga Forumi i Kritikëve i këtij festivali ndërkombëtar

Sukses europian në Gjermani

Pas 20 vjetësh përpjekje, “Allegretto Albania” përfaqëson Shqipërinë në bienalen e Wisbaden dhe kthehet me çmimin e kritikës. Drama e shkruar nga Stefan çapaliku dhe vënë në skenë nga Altin Basha në Teatrin Kombëtar, është vlerësuar me pikët maksimale nga Forumi i Kritikëve i këtij festivali ndërkombëtar. Drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, ka theksuar se përfaqësimi në të tilla festivale prestigjioze rrit prestigjin e TK-së. “Allegreto Albania”, interpretuar nga aktorët Mirush Kabashi, Olta Daku, Vasian Lami, Ahmet Pasha, Gëzmend Paja, Xhejni Fama, Klea Rondo, është vlerësuar mes 24 shfaqjeve konkurruese në bienalen e mbajtur në datat 17-27 qershor. “është evenimenti më i rëndësishëm për historinë e teatrit shqiptar të zhvilluar në liri. Pas 20 vjetësh përpjekje, Teatri Kombëtar ia doli të jetë pjesë e bienales me famë ndërkombëtare si ajo e Wisbaden, në të cilën shprehen tendencat e sotme të dramaturgjisë dhe të gjitha elementeve të tjera të teatrit. Në këtë kuptim, personalisht ndihem shumë mirë edhe për çmimin, sepse është një çmim i marrë nga kritikët e teatrit dhe besoj të gjithëve na bën mirë, sepse na tregon që jemi në rrugën e duhur”, është shprehur dramaturgu Stefan çapaliku. Ndërkohë, në intervistën e mëposhtme regjisori Altin Basha tregon për këtë prezantimin, çmimin, problemet e sotme të komunikimit të teatrit shqiptar dhe ftesat në festivale të tjera të rëndësishme.


Ktheheni nga bienalja e Wisbaden me një çmim. Sa i rëndësishëm ishte ky përfaqësim i Teatrit Kombëtar në një aktivitet të tillë?


është shumë e rëndësishme që ky prezantim prestigjioz i Teatrit Kombëtar vjen përmes një drame shqiptare. Prej disa kohësh ekziston një debat i madh për dramën shqipe, një opinion i caktuar i ndarë në dy pjesë. Vlerësimi nga të huajt i “Allegretto Albania” është një tregues i rëndësishëm që edhe në Shqipëri shkruhet dramë. Ne nuk duhet të presim që çdo dramë të ketë fatin e kësaj pjesë, po duhet mbështetu,r sepse resurset janë, njerëzit që e shkruajnë po ashtu, e janë në gjendje të qëndrojnë përballë kolegëve të tyre në Europë dhe në botë. Mendoj që gjithashtu është shumë e rëndësishme që me mundësitë tona të përbashkëta të arrijmë të sensibilizojmë më në fund institucionet e shtetit shqiptar se teatri shqiptar është institucion ku mund të investohet e të arrijë suksese jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj. është një teatër që meriton vëmendjen e duhur për t’u afruar më së paku me standardet e duhura teknologjike si në Perëndim, një nga aspektet e vetme ku ne ndihemi inferiorë. Teknologjikisht teatri ynë është jashtëzakonisht i prapambetur dhe të mos priten suksese të jashtëzakonshme kur teatri nuk i përgjigjet dot me teknologji kërkesave të dramaturgjisë. Në këtë kuptim shpresoj që suksesi i “Allegretto Albania” ta kthejë vëmendjen tek institucionet e teatrit shqiptar që kanë jashtëzakonisht nevojë për mbështetje. Dua të falënderoj aktorët si elementi kyç i shfaqjes e që dëshmuan se kemi standarde dhe kapacitete normalisht europiane dhe botërore.


Forumi i kritikëve i ka dhënë pikët maksimale shfaqjes mes 24 pjesëve konkurruese...


Ishte pjesa më e papritur. Ndihej një atmosferë pozitive ndaj shfaqjes që atje, por ky çmim u mor vesh vetëm dje në një kohë që ne kishim disa ditë që ishim kthyer. Historia e Teatrit Kombëtar me bienalen e Bonit, sot e quajtur e Wisbaden, është më e gjatë sesa historia e “Allegretto Albania”-s. Shqipëria ka tentuar tri herë për të marrë pjesë, por në dy rastet e mëparshme selektorët e festivalit nuk e kanë gjetur me vend që të bëjnë pjesë të festivalit një shfaqje shqiptare. Duke qenë se seleksioni ka qenë i fortë dhe historia me bienalen nuk ka qenë shumë optimiste, ne u rezervuam që në fillim për të bërë komente. Ky çmim tregon se pjesa më e specializuar dhe më vëzhguese e teatrit e vlerëson si një shfaqje dinjitoze dhe është një kënaqësi e jashtëzakonshme. Shpresoj që edhe pjesëmarrjet e tjera të jenë po kaq të suksesshme.


“Allegretto Albania” ka si sfond problemin e gjakmarrjes. I ka dhënë kjo temë një dorë shfaqjes?


Komentet që janë bërë për shfaqjen e kanë përcaktuar si një pjesë me ide universale e shprehur me tematikë lokale: njeriu përballë vetvetes në dilemën për të qenë më i miri i vendosur në një tematikë sociale që është Kanuni. Në këtë kuptim them se është një nga motivet, por jo çdo gjë.


A vuajnë shfaqjet tona, por edhe regjisorët nga një mundësi komunikimi me publikun e vendeve të tjera?


Ftesa për bienalen e Wisbaden është e dyta që vinte për prezantimin e “Allegretto Albania”-sa jashtë shtetit, pas asaj të Rumanisë e cila u realizua pasi Ministria e Kulturës nuk pati mundësi ta financonte. Një nga avantazhet më të mëdha të kësaj shfaqjeje ishte që bienalja që pagoi çdo shpenzim për udhëtimin dhe akomodimin e trupës. Nëse kjo do të ishte në dorën e shtetit shqiptar, besoj se do të ishte e pamundur të konkurronim, sepse kushtoi 25 mijë euro. Kostot janë të mëdha, por ekspozimi i artit, ekspansioni kulturor i botës është i domosdoshëm. Komunikime të tilla duhet të jenë pjesë e politikave kulturore të shtetit që për momentin janë shumë modeste.


Ka ftesë tjetër konkrete?


Do të jemi të rezervuar për pjesëmarrjet e tjera, pasi të gjitha mund të varen nga mundësitë financiare. Janë dy kontakte shumë të rëndësishme, ftesat janë bërë që në bienale dhe ne i kemi dorëzuar DVD-të dhe pjesën e përkthyer në gjermanisht dhe frëngjisht. Jemi duke pritur përgjigjen përfundimtare.


A do të angazhoheshit në një dramë tjetër shqiptare, nisur edhe nga ky sukses i fundit?


Rezultati nuk mund të pritet në mënyrë të papritur. Do një proces të caktuar për të ardhur te rezultatet e mira. Ne bëmë një përzgjedhje të kujdesshme, Stefan çapaliku bëri një punë shumë të mirë me pjesën. Sigurisht që dramat e mira nuk gjenden gjithmonë, por ato zhvillohen kur jetojnë në një terren pjellor. Në momentin kur ka një lloj paragjykimi të fortë ajo nuk do të gjejë terrenin e duhur për t’u shprehur mirë. Megjithatë, mendoj që ka drama të mira shqipe. është shumë e mirë ideja që konkurset zhvillohen, por më e rëndësishme është vënia e dramës në skenë. Drama mbetet gjini e destinuar për të jetuar në skenë, në të kundërt mbetet letërsi mesatare. Në këtë kuptim shpresoj që mekanizmat që e shtyjnë përpara prodhimin e dramës shqipe të bëhen më aktivë dhe më të fuqishëm. Siç shihet, rezultati vjen edhe nga drama shqipe jo vetëm nga dramat e huaja apo produksionet e mëdha.








#