TIRANË- Seksioni Konsullor i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë do të fillojë ditën e premte shërbimin “Pyetje për Konsullin” në faqen Facebook të Ambasadës (www.facebook.com/usembassytirana.)

Ky shërbim iu ofrohet individëve që kanë pyetje mbi proceset e vizave për të vizituar apo jetuar në Shtetet e Bashkuara, me qëllim ofrimin e informacionit të saktë dhe në kohë lidhur me shërbimet që ofrohen nga Seksioni Konsullor i Ambasadës së SHBA.

Miqtë e faqes Facebook të Ambasadës do të ftohen të drejtojnë pyetje të përgjithshme dhe një zyrtar konsullor do të përgjigjet, duke mbuluar një gamë të gjerë temash me interes për ata që interesohen për të udhëtuar apo jetuar në Shtetet e Bashkuara.

Për shkak të natyrës publike të këtij shërbimi, nuk do të diskutohet asnjë pyetje individuale apo çështje specifike vize. Pyetjet në lidhje me kërkesat personale për viza jo imigrimi dhe imigrimi mund të drejtohen në adresën tiranausconsulate@state.gov. “Për të pyetur për shërbime që u ofrohen nënshtetasve amerikanë, ju lutemi kontaktoni adresën acstirana@state.gov”, përfundon njoftimi i djeshëm për shtyp i ambasadës amerikane.
(Shkrimi sot në Gazeta Shqiptare)
(el.me/BalkanWeb)