Sulm terrorist


Dhjetëra të vdekur nga sulmi vetëvrasës i marrë përsipër nga një grupim i lidhur me Al Kaedën


Sulmi ne Liban (1) Së paku 23 njerëz vdiqën pasi dy bombardues vetëvrasës tronditën ambasadën e Iranit në Liban dje. Mes të vrarëve është edhe një atashe kulturor i Iranit.


Një grupim me bazë në Liban i lidhur me Al Kaedën, Brigadat Abdullah Azam, mori përgjegjësinë për sulmin dhe kërcënoi sulme të mëtejshme në rast se Irani nuk tërheq forcat e veta nga Siria, ku mbështet Presidentin Bashar al-Asad në luftën 30-mujore kundër rebelëve.


Kamerat e sigurisë treguan një burrë me brez eksplozivash që vraponte te muri i jashtëm i ambasadës para se të shpërthente veten. Pastaj një makinë bombë e parkuar dy ndërtesa më tutje shkaktoi shpërthimin e dytë dhe më vrasës. Ushtria e Libanit njoftoi se të dyja shpërthimet qenë vetëvrasëse.


Edhe grupi që mori përsipër atentatin foli në Twitter për një martirizim të dyfishtë të dy heronjve të Libanit. Libani ka vuajtur nga disa përplasje sektare e atentate me bomba mbi objektiva suni apo shia, të lidhura këto me konfliktin në Siri.


Sulmi ne Liban (2)


Bombardimet e djeshme morën pjesë në prag të bisedimeve mes fuqive botërore dhe Iranit mbi programin bërthamor të këtij vendi. Palët erdhën pranë marrëveshjes paraprake gjatë bisedimeve më herët këtë vit.


Bombat goditën ndërkohë që forcat e Asad zgjeruan fitoret e tyre ushtarake në Siri para bisedimeve të paqes, të cilat shpresohet se do të ndodhin në dhjetor dhe që Irani ka premtuar se do të marrë pjesë.


Irani shia mbështet në mënyrë aktive Asadin kundër rebelëve që janë më së shumti suni. Dy komandantë të lartë të këtij vendi janë vrarë sakaq në Siri, ndërsa luftëtarët e Hezbollah nga Libani kanë ndihmuar për të përmbysur avantazhin e rebelëve kundër forcave të qeverisë siriane. Rebelët mbështeten dhe armatosen nga fuqitë suni si Arabia Saudite dhe Katari.


Irani e dënoi sulmin si një akt çnjerëzor të kryer nga Izraeli dhe agjentët e tij të terrorit.


Një deputet izraelit deklaroi se vendi i tij nuk ka pasur gisht. Gjakderdhja në Bejrut është pasojë e angazhimit të Hezbollah në krizën siriane. Izraeli nuk është përzier në të shkuarën dhe nuk është përzierë as në këtë rast, tha ligjvënësi Tzaki Hanegbi.


Ndërsa sulmi shkaktoi shumë viktima që gjendeshin pranë ambasadës e shkatërroi fasadat e ndërtesave përreth, vetë ambasada e Iranit pësoi pak dëme për shkak se është ndërtuar në formë fortese.


Sulmi u dënua nga shërbimet diplomatike të botës, përfshirë Britaninë dhe Francën. Frika është që lufta e Sirisë të gllabërojë në konflikt edhe Libanin, një vend që ka vuajtur nga më shumë se tri dekada lufte civile si dhe shumë luftëra të tjera.


Ky shkrim Ambasada iraniane bombardohet në Liban u publikua me pare te Gazeta SHQIP.