TIRANE- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu ka lëshuar deklaratë të fortë për Emiljano Shullazin, që sipas tij vijon aktivitetin e trafikut të drogës edhe nga qelia e burgut.


Duke iu referuar mediave, por edhe raportit të DASH, diplomati amerikan pohoi në një takim me rastin e 20-vjetorit të Magjistraturës, Lu tha se ka shumë të tillë trafikantë si Shullazi, apo edhe si Klement Balili, ky i fundit ende në arrati. Mes të tjerash Lu komentoi edhe lirimin e ish-kreut të bandës së Durrësit, që e quajti të parakohshëm, veprim që erdhi sipas tij nga një gabim i zyrtarëve të burgut.


FJALA E DONALD LU

Por sfida më e madhe dhe më e vështirë është ende përpara Shqipërisë lufta kundër krimit të organizuar. Derisa peshqit e mëdhenj të arrestohen, ndiqen penalisht dhe të futen në burg, kanabisi do të kthehet, gjyqtarët do të marrin ryshfet dhe zyrtarët qeveritarë do të korruptohen.


Çfarë dimë lidhur me problemet e krimit të organizuar në Shqipëri?


Sipas raporteve të Departamentit të Shtetit të SHBA, Shqipëria është qendër e aktivitetit të krimit të organizuar që përfshin trafikun e drogës, armëve dhe prostitucionit. Katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale ku përfshihen trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave, dhe pastrimi i parave. Shqipëria ka një treg të zi jo të vogël për mallra kontrabandë, në radhë të parë duhan, bizhuteri, makina të vjedhura dhe telefona celularë. Vendi mbetet në rrezik domethënës nga pastrimi i parave për shkak të korrupsionit të kudogjendur dhe një sistemi ligjor të dobët.


Janë disa emra të famshëm kriminelësh shqiptarë, si trafikanti i dënuar i drogës Emiljano Shullazi, për të cilët media pretendon se vazhdon të kryejë trafik droge dhe armësh nga qelia e paraburgimit. Ose Lul Berisha, kreu i bandës së dhunshme të Durrësit që gabimisht u lirua herët nga zyrtarët e burgut. Kjo çoi në arrestimin e drejtorit dhe avokatit të burgut, por në mënyrë të mistershme, Lul Berisha mbetet i lirë. Dhe së fundi, magjistari Klement Balili, një trafikant ndërkombëtar droge, i kërkuar nga Greqia dhe Agjencia e Zbatimit Anti-Drogë (DEA) e SHBA, por që ia ka dalë ti shpëtojë drejtësisë shqiptare për 18 muaj falë paaftësisë së prokurorëve, policisë dhe Ministrisë së Drejtësisë.


Ka edhe shumë Shullazë, Lul Berisha dhe Klement Balilë të tjerë në Shqipëri. Pyesni cilindo oficer policie dhe ai apo ajo do të tregojë edhe një duzinë tjetër drejtuesish të krimit që meritojnë të jenë në burg.


Si do ti mundim drejtuesit e fuqishëm të krimit të organizuar?

Drejtuesit e krimit në Shqipëri rrallë arrestohen dhe pothuajse kurrë nuk ndiqen penalisht. Në vitin 2016, policia arrestoi 1,349 persona për kundravajtje të lidhura me trafikimin e drogës. Më pak se 100 nga këto arrestime çuan në dënime për trafik droge në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Edhe më shqetësues është fakti që kishte zero dënime, zero arrestime, zero ndjekje penale për ndonjë peshk të madh për organizim, drejtim apo financim të organizatave të trafikut të drogës gjatë vitit 2016. Edhe në vitin 2015 ishin zero.


Në Shtetet e Bashkuara në vitet 20 dhe 30 pati një epidemi të krimit të organizuar. U krijuan task-forca elitë të agjencive të ndryshme për të vënë në shënjestër drejtues të mafias si Al Capone. Kishin prokurorë, policë, dhe ekspertë të krimit financiar që punonin së bashku. Është me rëndësi kritike që policët, prokurorët dhe shërbimet inteligjente shqiptare të punojnë më ngushtë për të luftuar krimin e organizuar. Nuk ka për të qenë e lehtë. Me gjasë do të jetë luftë e egër. Në vitin 2014, Shqipëria pati 72 bomba në makina dhe shumica besohet se ishin rezultat i dhunës mafioze. Populli shqiptar duhet të kërkojë veprim, por duhet të dijë se të arrish rezultate kundër drejtuesve të fuqishëm kriminalë kërkon durim, guxim dhe sakrifica.


Besojmë se është koha që qeveria e Shqipërisë ti shpallë luftë krimit të organizuar. Besojmë se disa nga ushtarët më të rëndësishëm në këtë luftë do të jenë të diplomuar të Shkollës së Magjistraturës.