Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj deklaratave të Ambasadores së SHBA’ve, e cila tha se Albin Kurti e ka kërcënuar ish-Sekretaren Amerikane Madeleine Albright. Ata thonë se nuk i kanë shkruar asnjëherë Albright’it, por pohojnë se aktivistët e tyre vetëm kanë kundërshtuar privatizimin. Nënkryetari i VV’së, Shpend Ahmeti, tha se deklaratat e Tracey Ann Jacobson e dëmtojnë këtë subjekt.

Lëvizja Vetëvendosje i ka cilësuar si të pasakta deklaratat e Ambasadores Amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, se Albin Kurti e ka kërcënuar nëpërmjet një letre ish-Sekretaren Madeleine Albright.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, ka thënë se akuzat e tilla e kanë dëmtuar këtë subjekt.

“Mendoj se na dëmton tepër shumë Lëvizjen Vetëvendosje, kur del me deklarata të tilla. Absolutisht, kjo është dëmtim sepse tash njerëzit thonë a Amerika! Ne i besojmë SHBA’së”, ka thënë Ahmeti, për Klan Kosova.

Ahmeti ka thënë se mesazhet nga Kosova për ish-Sekretaren i kanë dërguar aktivistët e Vetëvendosjes në kapacitetin qytetar e jo partiak.

“Kemi dërguar mesazhe, por jo si Lëvizje Vetëvendosje, por si qytetarë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, u kemi thënë brengat tona në lidhje me privatizimin e postës dhe me faktin se kjo po bëhet me një qeveri të korruptuar dhe të shantazhuar”, ka thënë ai.

Nënkryetari i Vetëvendosjes ka thënë se pavarësisht deklaratave të diplomatëve, Vetëvendosje do të vazhdojë të kundërshtojë Qeverinë, privatizimin dhe do të denoncojë korrupsionin.

“Së paku duhet të thuhet se kemi dallime në qëndrime, e jo të thuhet se ne kemi kërcënuar Madelene Albright sepse nuk qëndron. Nuk po besoj se qëllimisht është bërë kjo. Besoj se është e keqinformuar në atë aspekt”, ka thënë Ahmeti.

Një ditë më parë, Ambasadorja Jacobson ka thënë se Lideri i Vetëvendosjes e kishte pranuar një letër të mirë nga Kurti dhe se ka parë një letër tjetër kërcënuese ndaj ish-Sekretares Albright.

“E kam parë edhe letrën që ai (Albin Kurti) ia kishte dërguar znj. Madeleine Allbright, shefes sime të mëhershme, ku ai kërcënonte se bashkë me miq e familjarë do të ballafaqohej me të në rrugë, nëse ajo do të vinte në Kosovë”, ka shtuar Ambasadorja Jacobson.

Vetëvendosje nëpërmjet disa aktiviteteve kishte kundërshtuar privatizimin e PTK’së dhe kishte kërkuar nga investitorët të mos vijnë për të bërë blerë pasuritë kombëtare.

Madje, disa aktivistë të VV’së kishin shkruar letra në drejtim të kompanive, të cilave u kanë thënë se nëse blejnë PTK’në do të ketë protesta të qytetarëve.

Lëvizja e Albin Kurtit ka paralajmëruar edhe protesta të tjera për të kundërshtuar shitjen e pasurisë kombëtare.

Por, këto veprime janë kundërshtuar nga Ambasadorja amerikane. Ajo ka thënë se qëndrimi i SHBA’së nuk do të ndryshojë për aq kohë sa Vetëvendosje vazhdon me veprime kërcënuese.

“Nuk pajtohem me demonstratat e dhunshme dhe letrat kërcënuese. Nëse kjo do të përfundonte, atëherë ne do ta rishikonim qasjen tonë drejt tyre”, ka thënë Jacobson.

Për Shpend Ahmetin e Vetëvendosjes nuk është shqetësuese pse Vetëvendosje nuk ka komunikim të drejtpërdrejtë me Ambasadën e Amerikës në Kosovë, por ka thënë se shqetësuese janë problemet e qytetarëve, korrupsioni në Qeveri.

“Shqetësuese është fakti se distribucioni na shitet për dy kilometra asfalt. Është shqetësuese se bëhen negociata për Veriun e Kosovës. Është shqetësuese se posta po shitet nga këta njerëz të korruptuar”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se edhe nëse kërkohet takim nga Ambasadorja Jacobson në këmbim të ndaljes së protestave, atëherë Ahmeti ka thënë se do të vazhdojnë të mos e ndryshojnë kursin.

Ahmeti është ankuar në media se pse i kanë dhënë rëndësi kaq të madhe akuzave të Ambasadores amerikane në Kosovë.

“Mendoj se kjo po bëhet që të spostohet vëmendja nga disa gjëra në Kosovë”, ka thënë ai.

Por, analisti Shkëlzen Maliqi thotë se para se të japë Vetëvendosja këshilla për të tjerët, duhet t’i rishikojë veprimet në raport me shtetin që ka kontribuar më së shumti për lirinë e Kosovës.

“Vetëvendosje po japin këshilla, e këshillojnë AAK’në se çka duhet të bëjnë, por ata është mirë të mësohen për veten. Vetëvendosje duhet të përcaktohet për politikë për të përfituar sa më shumë votues ose për politikën e rrugës, ku shpesh degradojnë ose e demantojnë atë që do të mund ta bënin në Kuvend”, ka thënë Maliqi.

“Nuk besoj se me këtë strategji do të mund të arrijnë shumë”, ka shtuar ai.

Ai mendon se veprimet e Vetëvendosjes kanë ndikuar në dobësimin e përkrahjes që ka pasur më herët Albin Kurti.

“Edhe Vetëvendosje duhet t’i respektojë mendimet e kundërta dhe jo të imponojë me dhunë mendimet e saj”, ka thënë ai.

Ndërkohë, gjatë ditës, Vetëvendosje ka publikuar një letër të hapur drejtuar Ambasadores Jakobson, duke thënë se nuk e kanë kërcënuar ish-Sekretaren amerikane dhe asnjë investitor. Por, sipas VV’së, ata kanë treguar qëndrimin e tyre në raport me veprimet që po bëhen sa i përket shitjes së PTK’së dhe disa pasuri të tjera publike.

Lëvizja Vetëvendosje edhe më herët ka pasur përplasje me ambasadorët e Amerikës në Kosovë.

Ish-ambasadori Christopher Dell e kishte renditur Vetëvendosjen si antiamerikane për shkak të qëndrimeve të Albin Kurtit ndaj dialogut dhe zhvillimeve të tjera politike në Kosovë.