“Amerika për Kosovën”është projekt i cili ka filluar punën që nga paslufta, janë bërë hulumtimet si në vend por edhe jashtë vendit.



“Gjatë këtyre 10 viteve ne kemi arritur që të mbledhim një fond të konsiderueshëm të relikteve që lidhen me luftën e fundit në veçanti dhe me përpjekjet e popullit të Kosovës në përgjithësi”, shprehet shefi i sektorit të Historisë në Muzeun e Kosovës, Sadik Krasniqi.



Është fjala për projektin i cili mundësohet në kuadër të veprimtarisë themelore të Muzeut të Kosovës e Zyrës për Çështje Jorezidente - ZKM, “Amerika për Kosovën”.



Qëllimi kryesor i këtij projekti është që nëpërmjet ekspozitës “Amerika për Kosovën” të krijohet një koleksion me vlera të jashtëzakonshme për historinë më të re të Kosovës, lidhur me rolin e madh të SHBA dhe Shqiptaro-Amerikanëve në përgjithësi, si dhe të prezantohet në formën e duhur kjo lidhje ndërmjet dy vendeve, Kosovës dhe SHBA.

Në një solemnitet të veçantë të organizuar në vitin 2009, nga ana e Muzeut të Kosovës dhe Zyrës së Kryeministrisë për çështje jorezidente, për shënimin e “10 vjetorit të çlirimit të Kosovës”, në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Washington të SHBA i është dhuruar Muzeut të Kosovës uniforma ushtarake nga ana e Gjeneralit Veslli Klark, një ndër personalitetet më të ndritura të historisë më të re të Kosovës, të cilën ai e kishte mbajtur gjatë bombardimeve dhe luftës për çlirimin e Kosovës. Me këtë rast Gjenerali Klark ka kujtuar dhe ripërsëritur qëllimin e intervenimit të drejtë në luftën e Kosovës dhe kishte përkrahur këtë iniciativë të qëlluar për krijimin, ruajtjen dhe prezantimin e historisë së Kosovës, nëpërmjet kulturës materiale muzeale.



Projekti për hulumtime në Amerikë, ka filluar që nga viti 2005, dhe ka një titull simbolik “Amerika për Kosovën”, projekt që e ka ideuar dhe hartuar prof. Dr. Riza Sadiku. Sadiku është ai që fillimisht ka udhëtuar në Amerikë ekskluzivisht për këtë qëllim, gjatë të cilit i ishte bashkangjitur edhe drejtori i Muzeut, Arbert Hadri.



“Më vonë, këtij projekti i jam bashkangjitur dhe unë, por tash me qëllim që të krijohet fondi për kontributin e diasporës shqiptare dhe administratës amerikane për Kosovën, fond i cili do të mbetet në Muze”, tha Krasniqi



Ekipi nga Muzeu i Kosovës që udhëtoi për të marrë edhe eksponatet e fundit nga Amerika për ekspozitën “Amerika për Kosovën”, sipas Sadik Krasniqit, ka arritur që kësaj here të marrë shumë eksponate që janë të vlefshme për këtë ekspozitë.



“Eksponatet që kemi siguruar kësaj here janë disa Uniforma të dëshmorëve të kombit, vëllezërve Bytyqi nga brigada “Atlantiku”, disa dekorata e mirënjohje të dhuruar për pjesëtarët e “Atlantikut” edhe nga Kosova, por edhe nga administrata e SHBA-ve. Ka edhe shumë eksponate që nga fotografitë e deri te varroset e qafës së ushtarëve të “Atlantikut”. Pastaj, eksponate shumë të vlefshme në këtë udhëtim kemi gjetur edhe te shoqata që e formoi Fan Noli në Amerikë ”Vatra”, të fondit “Vendlindja thërret”., disa gazeta e fotografi e gazeta nga administrata e SHBA-ve që flasin për Kosovën”, ka thënë Krasniqi.



Ekspozita do të jetë e përkohshme, do të hapet këtë vit në Muzeun e Kosovës dhe do të qëndrojë e hapur një muaj. Planifikohet që ta hapet më 12 qershor, në ditën e çlirimit të Kosovës por nëse do të jenë të gatshëm në këtë datë, do ta hapet më 28 nëntor. Pastaj kjo ekspozitë do të shëtit edhe në disa qendra të Kosovës, pas mbylljes në Muzeun e Kosovës.



Pas mbylljes së ekspozitës, fondi do të jetë diçka që do të marrë karakter të vlerës publike, apo do t’i takojë pasurisë muzeale të Kosovës.



“Nëse mblidhen së bashku, ato që janë grumbulluar që nga 2005-ta e deri më tani ka mbi 1500 eksponate”, tha Krasniqi



Projektin financiarisht u përkrah nga Qeveria e Kosovës me një fond afro 77 mijë euro. “ Ky është fond që është ndarë ekskluzivisht për këtë projekt, por edhe pasi të mbledhim eksponate për këtë fond dhe për këtë ekspozitë ne kërkimet do t’i vazhdojmë në kontuinitet”, përfundon Krasniqi.