Ndonëse nuk përmendet në asnjë pjesë të draftit për amnistinë fiskale, Ministria e Financave e ka bërë një bilanc paraprak të parave të padeklaruara, që pritet të legalizohen brenda një viti.denaj


Anila Denaj deklaroi dje se vlera e shumës së padeklaruar arrin në 2.4 miliardë euro, duke e bërë të qartë se paratë e krimit do të mbeten jashtë nismës.


Në çdo përpjekje për amnisti në vitet e kaluara, rezultatet kanë qenë minimaliste, pasi asnjëherë nuk janë shoqëruar me amnisti penale. Projektligji i hartuar, përtej amnistisë fiskale, synon edhe amnistinë penale. Kalkulimi për të ardhurat është i vështirë për tu realizuar. Kjo amnisti bëhet për bizneset dhe individët, që do të sjellë për ta një përfitim të shtuar. Pjesa që është jashtë ekonomisë, jashtë sistemit financiar, në fillim të vitit është artikuluar në vlerën e 2,4 miliardë eurove. Nuk mund ta them që e gjithë pjesa e synuar është brenda, pasi kërkojmë të bëjmë një ndarje të thellë të burimeve jo të sigurta të ekonomisë. Ne synojmë atë pjesë të ekonomisë që është e pastër, që është vendosur me punë të ndershme. Prandaj, nuk ka një ndarje dhe një synim të të ardhurave që do të amnistohen. Synimi i administratës fiskale është hartimi i instrumenteve, që nëpërmjet sistemit do të gjurmojnë edhe pas këtij viti, pasi ky është thelbi i gjithë amnistisë. Ndaj, biznesi duhet ta konsiderojë këtë vitin zero.


PËRFITUESIT


Emigrantët dhe bizneset që ndër vite i kanë fshehur të ardhurat janë targeti kryesor i nismës, që pritet të miratohet shumë shpejt në Kuvend.


Amnistia fiskale nuk vjen për shkak të pandemisë, por si një nevojë për të ftuar bizneset që në vite kanë krijuar diferencë mes realitetit dhe pasqyrave fiskale, çka krijon një ngërç në avancimin e biznesit dhe zhvillimit ekonomik, përtej garancive sovrane që do të kërkojnë kohën e duhur për tu përthithur dhe për të dhënë impaktin. Por nuk mund të ndodhë që të gjitha këto fonde të japin impakt me këtë ngërç ekonomik, pasi pasqyrat fiskale dhe ato reale nuk janë në të njëjtën qasje. Është një mundësi që ai biznes që e ka vendosur atë aset me punë të ndershme, ta amnistojë për 10 vjet. Në amnisti përfshihen edhe individët që kanë siguruar të ardhura nga emigracioni dhe nuk i kanë deklaruar. Që në momentin e hartimit të ligjit nuk janë përfshirë në amnistinë fiskale disa kategori, si ato që janë të ekspozuara në politikë dhe administratën e lartë, apo ata persona që janë përfshirë në pastrimin e parave, deklaroi Denaj.


Amnistia lë jashtë të gjithë zyrtarët dhe ish-zyrtarët e larët të shtetit, familjarët e tyre, si dhe paratë e krimit të organizuar. Përfituesit do të paguajnë një tatim të posaçëm prej 5 deri në 10 për qind të vlerës së pasurisë së deklaruar, në këmbim të faljes për veprën penale të fshehjes së pasurisë. Pas një viti, kohë kur përfundon ky proces, situata do të jetë ndryshe.


Kryefinancierja Denaj bëri me dije se administrata e saj po harton një sistem gjurmimi që të parandalojë fshehjen e pasurisë pas amnistisë. Megjithatë, nuk dihet nëse pas faljes do të ketë ashpërsim të kuadrit ligjor për ata që bëjnë evazion fiskal. Qeveria ka miratuar ligjin për amnistinë fiskale dhe penale të deklarimit të pasurisë për të gjithë shtetasit dhe bizneset shqiptare, pavarësisht ku janë rezidentë. Nisma u miratua nga Këshilli i Ministrave një ditë pas publikimit për konsultim publik dhe zhvillimit të disa mbledhjeve me grupet e interesit dhe Këshillin Tatimor.


PANORAMA