Më 19 Maj 1997, në një fjalim të mbajtur vetëm katër ditë para zgjedhjeve presidenciale në Iran, Presidenti në detyrë Ayatollah Ali Akbar Hashemi Rafsanxhani theksoi: "Krimi më i ndyrë që egziston është manipulimi i vullnetit të popullit; ai është një mëkat i pafalshëm." Ky fjalim ishte drejtuar kundër kandidatit konservator Nateq Nuri, liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei dhe mbështëtesve të tyre.
Dhe në të vërtet, zgjedhjet presidenciale Iraniane ishin një leksion i vërtet demokracie. Sayyed Muhamad Khatami, një reformator, korri një fitore plebishitare (70%) kundër tradicionalistëve që zotëronin të gjithë aparatin e shtetit.
Por krejt e kundërta mund të thuhet për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Shqipërinë e vitit 2009. Ajo që e bën më alarmante situatën nuk është procesi i votimit dhe manipulimi i tij por reagimi i shoqërisë civile dhe në veçanti i analistëve politik, përkundrejt manipulimit të vullnetit të popullit.
Veçoj këtu analistët politik pasi i konsideroj ata si elementë që kanë potencialin dhe staturën për të dëshifruar një fenomen politik dhe për ta paraqitur atë në popull në mënyrë sa më të thjeshtë dhe të kuptueshme.
Si rrjedhojë, besoj gjithashtu se këta analistë kanë fuqi më të madhe bindëse mbi masat.
Gjatë gjithë "Maskaradës zgjedhore" çuditërisht shumë analistë politik nuk u fokusuan tek "Aparteidi qeveritar" dhe manipulimi i vullnetit të popullit por u fokusuan tek fati i Edi Ramës dhe i opozitës. Problemi nuk është se sulmohet Rama.
Problemi qëndron në faktin se këta analistë vendosën si prioritet fatin e Ramës dhe jo vullnetin e manipuluar të popullit. Asnjëherë nuk u zhvilluan debate dhe analiza konstante rreth mbarëvajtjes së zgjedhjeve dhe manipulimit që iu bë atyre nga regjimi Berisha.
Vullneti i popullit përmendej tek - tuk spontanisht nga ndonjë analist. Kjo mund të tingëllojë sa fatkeqe po aq edhe mjerane si për shoqërinë por edhe për këtë grupim analistësh.
Nuk ka se si të mos të lind një ndjenjë antipatia përkundrejt këtij grupimi të analistëve politik kur shikon se si këtyre syresh u intereson dhe i shqetëson më shumë fati i Ramës sesa fati i vullnetit të popullit.
Ramafobia e ka çuar njërin prej këtyre analistëve deri aty sa ai është i gatshëm ta sakrifikoi vullnetin e popullit sepse filxhani dhe orakulli i tregojnë se Rama do të jetë si Berisha, Stalini, dhe Hitleri.
Disa nuk e pëlqejnë Ramën sepse nuk ndajnë të njëjtat mendime me atë. Disa të tjerëve nuk u pëlqen moda e flokëve dhe ngjyra e çorapeve të Ramës dhe disa të tjerëve nuk u pëlqen mënyra se si flet apo ecën Rama. Disa të tjerë ku i dihet se çfarë.
Dhe kjo sjellje e analistëve vazhdon edhe tani pas rizgjedhjes së Ramës në krye të Partisë Socialiste me votat plebishitare të bazës socialiste dhe miratimin po të tillë të strategjisë së tij për bojkotin e parlamentit deri në hapjen e kutive të kontestuara, e drejtë e mohuar në mënyrë antiligjore dhe primitive.
Këta analistë jo vetëm që nuk mbështesin transparencën e votës së popullit dhe të vullnetit të tij, por shkojnë edhe më tej duke kundërshtuar (indirekt në mënyra të ndryshme) edhe figura të tjera politike që i janë bashkuar Ramës në protestat për transparencën e votës popullore.
Rasti më i dukshëm ishte ai i emisionit "Top Story" ku analistët i kundërviheshin avokat Ngjelës për mbështetjen që ai i ka ofruar Ramës në protesta.
Këta analistë ishin aq naiv dhe mediokër sa "shqetësoheshin" për potencialin që ka Ngjela për të mbështetur Ramën apo lidhjet e tij me Berishën dhe nuk vlerësonin gjestin demokratik dhe human për transparencë të vullnetit të popullit.
Cilado qoftë arsyeja, ajo që i intereson shoqërisë shqiptare është transparenca e vullnetit politik të popullit. Shoqëria është fituesi më i madh nga kjo transparencë të tjerat janë thërrime!
Edhe këta analistë mund të përfundojnë si ai i pari dhe mund të thonë se nuk na pëlqen rruga që ndjek Rama për hapjen e kutive dhe ndaj do sakrifikojmë edhe në vullnetin e popullit.
Dhe kanë të drejtë sepse kutitë e votimit janë bërë si "Kutia e Pandorës" për shumë individë dhe grupime politike. Hapja e tyre jo vetëm që do ketë ndikim mbi sistemin politik, por ajo do të ndikoj ndjeshëm edhe tek mënyra se si do të shihet dhe perceptohet më vonë nga populli edhe ky grupim analistësh.
Përveç disave që ndarjen me Ramën e kanë ideologjike apo "për arsye ideali", për disa të tjerë, hapja e kutive mund të kompromentojë kredibilitetin e opinioneve dhe mendimeve të tyre. Pavarësisht rezultatit ligjor, ai që do të marri prioritet do të jetë rezultati moral dhe politik i kësaj meseleje.
Gjithashtu, një pjesë e këtyre analistëve pretendojnë për paanshmëri për faktin se sulmojnë si pozitën ashtu edhe opozitën.
Por këta analistë nuk kanë kuptuar një gjë shumë të rëndësishme: Pavarësisht faktit nëse e sulmon apo jo forcën në pushtet, nëse sulmon opozitën dhe përfaqësuesit e saj, në mënyrë indirekte ofron mbrojtje dhe mbështetje për pushtetin.
Sulmi përkundrejt pozitës dhe opozitës nuk bën gjë tjetër por përforcon "status quo" e politikës, sidomos kur nuk ka një alternative potenciale bindëse. Zgjedhjet nuk kanë të bëjnë kryesisht me opozitën.
Zgjedhjet zhvillohen për të shpërblyer apo ndëshkuar forcën në pushtet, bazuar në përformancën e saj. Në rastin kur forca në pushtet ka përformuar keq, ajo do ndëshkuar edhe në rastin kur opozita ka mangësitë e saj, kjo është A-ja e demokracisë dhe motivon qeverisjen me efikase në të ardhme.
Një fenomen tjetër që kundërshton në këtë grupim analistësh është edhe mungesa e përplasjeve reale të ideve dhe opinioneve. Janë qesharake skenat ku mendjendriturit e opiniondhënies politike kundërshtojnë njëri - tjetrin. Ndonjëherë ngërdheshen si maçokë nevrik për "Mustaqet e Çelos".
Por sa qingja të urtë bëhen me njëri - tjetrin kur vjen puna tek Rama apo transparenca e vullnetit të popullit. Rallë herë ngërdheshen në këtë pikë. Si qënie të programuara fillojnë dhe lëshojnë një larmi akuzash, thashethemesh, hipotezash, vlerësimesh, madje edhe këshillash.
Por sa gojëmbël bëhen kur fillojnë e diskutojnë për zotësinë dhe meritat e Berishës që manipuloi dhe shkeli vullnetin e popullit dhe ligjet e vendit. "Hallall", thonë, "ia futi Ramës." E ç'mund të presësh nga këta syresh?!
Mos bëni vaki të shkruani kundër mendimeve dhe opinioneve të këtyre analistëve sepse ashtu si në sferat e tjera të shoqërisë Shqiptare (politikë, mjekësi, polici, mësuesi, etj), kolegëve dhe atyre vetë do t'ju ngelet qefi se po i sulmon me pa të drejtë. Kaq është shumë pak. Këtu mund të fillojnë edhe protestat. Mund të shkojnë deri aty sa të akuzojnë se je i blerë apo i shitur, mbase edhe i pa aftë.
Kjo më ndodhi para disa ditësh kur shkruajta për dikë që edhe sot e kësaj dite e konsiderojë të jetë nën efektin e Ramafobisë dhe që ka krijuar botën e tij dikotomike. Ai përgjigjet me një lum fjalësh që më shumë se një retorike politike i ngjasonte një retorike sentimentale apo një gazetarie poetike.
Tre dukuri kryesore që ushqejnë retorikën e këtij analisti janë: (1) Dikotomizmi, ndarja e mendimeve dhe ideve në "të mira" dhe "të këqija", (2) Neokolonizimi retorik, ku ai pretendon se mendimet dhe idetë e tija janë superiore, dhe (3) Paranoja politike, mendimet dhe strategjitë e tjetrit përbëjnë rrezikshmëri politike. Kjo gjithashtu mund të konsiderohet si anomali në sistemin e besimit dhe të vlerave të një intelektuali apo analisti politik.
E konsideroj anomali pasi sjelljet e tij jo vetëm që nuk janë koherente me vlerat e tij si intelektual dhe analist por edhe bien ndesh me principet dhe ato vlera që ai propagandon. Vlerat dhe principet nuk shiten për një ose për shkak të një individi, qoftë ky kushdo. Vullneti i popullit nuk mund të sakrifikohet për shkak të Ramës apo kujtdo tjetër.
Por në fund të fundit, ai analist ngelet një pjesëtar i atij grupimi të analistëve politik ku pjesa dërrmuese e të cilit nuk ka (mbase nga pavetdija) si shqetësim parësor demokracinë dhe transparencën e vullnetit të popullit por sulmet personale, primitive, dhe meskine përkundrejt individëve, qofshin këta figura politike apo mediatike. Manipulimi i vullnetit të popullit është krimi më i ndyrë që mund të ndodh në çdo lloj sistemi politik.
Ai është preludi i një fatkeqësie të madhe politike dhe sociale. Ndaj ky grupim analistësh ka shumë ç'të marrë nga fjalimi i klerikut dhe udhëheqësit Iranian, Rafsanxhanit, dymbëdhjetë vite më parë.