21-11-2012 / Nga Kastriot Dervishi

Duhet ta falënderojmë Rexhep Qosjen me intervistën e fundit që i dha një televizioni shqiptar, pasi i hoqi vetes atë pak kallaj që i kishte mbetur nga koha e titizmit jugosllav. Njeriu që në Kosovë u votua diku më pak se gjysmë përqind, ka nxjerrë këtë herë gjithë mllefin e tij prej enveristi, duke u shpallur edhe njëherë si një komunist sa vjen e më primitiv. Qosja ftohet në tribuna e intervista vetëm për këtë cilësi, pasi “akademizmi” i tij nuk shihet gjëkundi. Politikisht ai artikulon teza që thelbin e kanë të ditur para se ta shprehë atë. Për hir të së vërtetës, Qosja më shumë se “akademik”, reklamohet si artikulues tezash kundër shumicës qeverisëse. Ai ka përvetësuar shkencën marksiste – leniniste në drejtim të shkrimit të historiografisë duke parë gjithnjë se duhet të kemi armikun dhe partinë e vegjëlisë që nxjerr popullin nga sikleti me anë të revolucionit. Qosja e ka shprehur me kohë mallëngjimin e tij për revolucionet proletare, si dhe për ato shkatërrimtare për shtetin shqiptar, si rasti i vitit 1997 teksa djegien e shtetit shqiptar me në krye simbolin serb të tre gishtërinjve e quante “revolucion i vonuar demokratik”. Dy ditë më parë, Rexhep Qosja na “mrekulloi” duke akuzuar ndërtuesin e shtetin shqiptar Ahmet Zogu si “despot” dhe shkatërruesin e këtij shteti, Enver Hoxhën si “ndërtues të shtetit bashkëkohor”. Në këtë mënyrë na doli “shtet bashkëkohor” diktatura sllavokomuniste e Enver Hoxhës. Despoti Qose i porositur të deklarohej në këtë mënyrë si anë tjetër e fjalimit të presidentes së Kosovës me rastin e rivarrimit të eshtrave të Mbretit Zog, nuk tregoi gjë tjetër veçse naivitetin e tij enverist.


Qosja, kur pohonte se ishte naiv


Në një relacion të vitit 1970, gjendur në Arkivin e PPSH-së, për vizitën e Rexhep Qosjes në Shqipëri thuhej se ky i fundit kishte pranuar se në studimet e tij “ka mjaft naivitete dhe mendime që mund të rrëzohen”, por kryesore ishte që, “ai ripohoi se s’ka tjetër botëkuptim përpos atij marksist – leninist se do të mundohet të zbatojë metodologjinë marksiste – leniniste, pavarësisht se sa ia arrin kësaj gjëje”. Nuk duam t’ia rrëzojmë Qosjes “botëkuptimin” e tij, pasi e ka shprehur më qartë se çdo gjë se çfarë bindje ka. Po themi dhe diçka në të njëjtin raport, të hartuar nga Androkli Kostallari, i cili shkruan për Rexhep Qosjen: “1-Gjatë vizitave të ndryshme dhe në biseda ai u shpreh me entuziazëm për sukseset e ndërtimit socialist në Shqipëri. Ai tha se ‘i bëhet zemra mal’ kur shikon zhvillimin e vrullshëm të Shqipërisë në këto 25 vjet që të bindin se si ‘mund të shkurtohet historia’. ‘Kryesorja është, tha ai, është se ju të gjitha këto i bëni duke u mbështetur në forcat tuaja’ ai tha se është i bindur që vetëm socializmi mund ta shpëtonte popullin shqiptar nga gjendja e mjeruar dhe e prapambetur në të cilën ndodhej në të kaluarën. Kjo gjendje, siç tha ai e njihte jo vetëm nëpërmjet leximeve, por edhe përmes kujtimeve të babait të vet, i cili për 12 vjet ka jetuar në Shkodër, pas Luftës së Parë Botërore dhe ka lënë atje të vdekur nga mjerimi, sëmundjet dhe uria gjithë të afërmit e tij. 2-Rexhep Qosja tha se krahas përparimeve të mëdha në lëmin ekonomik e kulturor, atij i ka bërë përshtypje të veçantë fakti që në Shqipëri ka ndryshuar dhe fizionomia e njeriut, është formuar njeriu i ri, me tipare të reja. Në mënyrë të veçantë lëvizjet për çrrënjosjen e besimeve fetare dhe për çlirimin e plotë të gruas, ai i çmonte si ngjarje të një rëndësie të madhe. ‘Është shumë domethënëse, tha ai që Shqipëria është vendi i parë në botë pa kisha e pa xhami. Feja, tha ai, topit dhe çorodit ndërgjegjen e popullit, kurse për fat të keq në Kosovë ka ende një ndikim të fortë; atje ka ende medrese dhe gjenden njerëz të cilët në vend që kursimet e tyre t’i falin për të ngritur një shkollë, i përdorin për të shkuar në Qabe”. Nuk jemi çuditur me “naivitetin historik” të Rexhep Qosjes, as është për të bërë përshtypje, por është koha për të ballafaquar disa të vërteta.


Zogu dhe Hoxha si figura të kundërta politike


Rexhep Qosja natyrisht ndjehet keq, kur sheh se në Shqipëri nuk po respektohet Enveri. Në analizimin e figurës së Ahmet Zogut dhe asaj të Enver Hoxhës duhet pasur parasysh fakti se i pari ndërtoi një shtet shqiptar nga fillimi. I dyti, gjeti një shtet të gatshëm dhe e shkatërroi atë në funksion të ndërtimit të një shteti tjetër.


Ndërtimi i shtetit prej njërit dhe shkatërrimi prej tjetrit


Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha do mbahen mend se punuan e luftuan në kushte të pabarabarta, si dhe në regjime krejt të kundërta. Zogu ndërtoi kapitalizmin dhe ndërsa Hoxha socializmi. Natyrisht sot po vazhdojmë kapitalizmin që nisi Ahmet Zogu dhe jo socializmin e Enverit, që na la pa bukë. Në vitet 1912 – 1920, shteti shqiptar nuk krijoi struktura të qëndrueshme, nuk u qeveris kurrë tërësia tokësore e tij. Gjithçka filloi në vitin 1920, kohë kur pas kongresit të Lushnjës, spikat edhe roli i Ahmet Zogut si ministër, kryeministër e më vonë si kryetar shteti. Ahmet Zogu ndërtoi duke filluar nga asgjëja kontribuoi: -Në sigurimin e tërësisë tokësore të Shqipërisë së 1913-s. Derisa Zogu mori drejtimin e ekzekutivit apo të shtetit shqiptar, Shqipëria ishte një hapësirë gjeografike e paqeverisur dhe pa kufij. Në vend mungonte organizimi shtetëror, krahinat nuk njihnin rolin e qeverisë dhe taksa nuk paguanin. U caktuan kufijtë e Shqipërisë. Ishte Ahmet Zogu që me marrëveshjen e Firences të vitit 1926 mbylli procesin e kufijve të shtetit shqiptar, kufij që i kemi edhe sot. Nëse Shqipëria nuk do të kishte kufij, do ishte një shtet që kurrë nuk do gjente stabilitet. Të mos harrojmë se një shtet i asaj kohe nuk pranoi të nënshkruante këto marrëveshje të pranuar nga ndërkombëtarët. Legjislacioni shqiptar, duke filluar nga kushtetutat e deri te kodet ishin nga më modernet. -Ndërtimin një qeverisje të vogël, por efiçente. Zogu hartoi ligje organike për të gjitha ministritë, mori inspektorë britanikë dhe austriakë për të. Administrata publike ishte në kapacitet të plotë veprimi. -Ndërtimin e sistemit financiar. Zogu ndërtoi regjimin kapitalist në cilin jemi sot dhe Enver Hoxha ndërtoi regjimin komunist që na vonoi për 50 vjet nga rruga ku jemi sot. U vendos leku që kemi edhe sot. Deri më 1926 Shqipëria nuk njihte monedhë të sajën. Bilanci tregtar ishte në prirje drejt balancimit. -Veprat kryesore botore. Në kohën e Zogut u ndërtuan akset kryesore rrugore të vendit. -Ndërtimi i forcave të armatosura: xhandarmërisë, ushtrisë. U formua Zyra Sekrete në MPB, etj, etj. -Në formimin e një diplomacie aktive për interesat e shtetit shqiptar. -Në karakterin perëndimor të shtetit shqiptar, etj, etj. -Mirëfunksionimin e pushtetit legjislativ. Në kohën e Zogut parlamenti ishte i gjallë. Madje në vitin 1936 u rrëzua me votëbesim kryeministri. Në kohën e Enverit parlamenti ishte i vdekur. Nëse Qosja e quan “rend feudal” shtetin e Zogut ta dëshmojë me fakte se ku e ka parë këtë “feudalizëm”. Nuk do jetë argument të na thotë të njëjtat gjëra që i kemi lexuar te veprat e shokut Enver. Ndërsa Zogu bëri një reformë agrare pa sjellë pasoja sociale, Enver Hoxha bëri lëmsh çështjen e pronësisë në Shqipëri. Përballë këtyre, Enver Hoxha, ndryshe nga Ahmet Zogu, gjeti një Shqipëri të gatshme nga ana strukturore si shtet. E shkatërroi me dëshirën më të madhe të papara ndonjëherë. Natyrisht kur Qosja thotë se “u sigurua buka në vend” nuk ka parasysh bukën e misrit që ndanin së bashku derrat dhe fshatarët e Shqipërisë. Regjimi i Enverit ishte regjim i tollonave, mizerjes, mungesës së çdo lirie, mohim i pronës, hajdutërisë shtetërore, etj.


Kush e solli në pushtet Zogun dhe Hoxhën


Kur bie fjala për ardhjen në pushtet të Zogut apo Hoxhës, fanatizmi komunist, rrjedhimisht Qosja, ka të njëjtin skenar, përsërit refrenin se “Zogun e sollën serbët në pushtet”. Zogu u spikat si figurë politike si protagonist qysh nga viti 1912 si delegat i Kuvendit të Vlorës. Ai përveç të tjerave fitoi zgjedhjet kuvendore të vitin 1923, mandati i të cilës u ndërpre nga një grusht shteti i organizuar nga opozita që ka për zemër Qosja. Pas ndërprerjes së pushtetit në mes të vitit 1924, Zogu diti të kishte përkrahjen e Britanisë së Madhe. Enver Hoxha jo vetëm nuk u spikat, por u vu në krye të Partisë Komuniste, rrjedhimisht në krye të pushtetit nga dy emisarë fshatarë jugosllavë. Enverin e sollën në pushtet jugosllavët Miladin dhe Dushan. Kjo nuk përmendet fare në rrëfimin e Qosjes, pasi nuk ka rëndësi. Në konferencën e Labinotit, mars 1943, nuk janë bërë zgjedhje midis Ymer Dishnicës dhe Enver Hoxhës, por shoku Miladin i la për pjesë shqiptarëve Enver Hoxhën. Kjo sepse nuk kishte njeri tjetër më të përshtatshëm, që mund ta çonte në fund këtë popull.


Qosja sheh 2 – 3 “vrasjet” e Ahmet Zogut dhe nuk sheh mijërat e Enverit


Dedektivi Qosja ka zbuluar “vrasjet” Ahmet Zogut si të Hasan Prishtinës (në Selanik), të Bajram Currit, Hysni Currit, (nuk po flet gjatë) të Luigj Gurakuqit (në Bari), etj. Natyrisht nuk e fillon nga më shumë se 20 atentate kundër Ahmet Zogut, pasi kjo nuk ka rëndësi. Pavarësisht se për asnjë prej këtyre vrasjeve nuk ka asnjë provë që të akuzojë Zogun, kjo prapë nuk ka rëndësi. Ndërsa ka zgjeruar rrethin me “vrasjen” e Azem Galicës, do bënte mirë ta fillonte nga vrasja e Beqir Vokshit më 22 janar 1923. Kush e vrau? A i kujtohet? Apo edhe kjo nuk ka rëndësi. Po Shote Galica që është financuar nga shteti i Ahmet Zogut, apo edhe kjo nuk ka rëndësi? Është e neveritshme që Qosja kërkon t’i minimizojë pasojat e krimeve të diktaturës komuniste, duke u justifikuar se ka edhe më keq në vende të tjera. Enveri i tij i dashur nuk vrau 2 apo 3 vetë, por shkatërroi gjithë inteligjencien e vendit të dalë nga shkollat e perëndimit, i vrau apo i burgosi. Të tjerët që mundën u larguan nga Shqipëria. Pra Enveri ndërtoi gjithë inteligjencien e krijuar me aq mund nga Ahmet Zogu. Nëse Ahmet Zogu ndërtoi një drejtësi të besueshme, Enveri ndërtoi një drejtësi komuniste me karakteristikat që njihen tashmë.


Kundërshtarët politikë


Zogu njihej si njeri që i afronte kundërshtarët politikë. Nolit i ofroi disa herë kthimin, madje duke e propozuar për rektor të universitetit të parë në vend. Kreu i shoqërisë “Bashkimi” të vitit 1924 u bë ministër i Punëve të Jashtme. Të tjerë u bënë ministra, prefektë, ambasadorë, etj. Kjo ishte politika e bashkëpunimit të Ahmet Zogut. Nuk njihet asnjë përpjekje e Zogut për të vrarë kundërshtarët e tij potencialë që në këtë kohë ishin Fan Noli, Mustafa Kruja, Ali Këlcyra, etj. Krejt ndryshe me Enverin. Një hakmarrës primitiv që dënoi së pari shokët e tij e çdo njeri që e mendonte si kundërshtar. Burgosi për qëllime politike 25 mijë persona. Vrau rreth 6 mijë të tjerë, ndërtoi një sistem internimesh, kampesh e burgjesh, natyrisht “për të mirën e popullit”.


Të drejtat e njeriut


Në kohën e Zogut njeriu mund të lëvizte e të arsimohej ku të donte. Shteti i garantonte lëvizjen e lirë brenda vendit dhe jashtë tij. Banesa ishte e padhunueshme. Shteti respektonte pronën, nderin dhe fenë. Krejt ndryshe me Enverin. Izolim i plotë, mungesë lëvizje, persekutim për arsye politike, etj.


Kush ua vodhi floririn shqiptarëve?


Ahmet Zogu nuk i shkoi kujt në shtëpi e t‘i merrte floririn e vet. Nuk cenoi askënd në pasurinë e tij. Ndryshe me Enverin. Vodhi në shtëpitë e shtetasve të vet 320 tonë flori. Pavarësisht nga kjo, Zogu duhet kujtuar pse mori me vete arin e vet dhe Enveri nuk duhet kujtuar, pse vodhi gjithë popullin e tij.


Arsimi dhe emancipimi i gruas


Qosja është i mrekulluar nga “emancipimi” i kohës së Enverit. Natyrisht duhet ta ketë fjalën për ndikimin e Bashkimit të Grave të Shqipërisë, apo te turnet e treta, në të cilat gratë kalonin punën e tyre. Ndoshta e ka edhe me gratë e kthyera në burra që punonin saldatore, shofere, kaldaiste, etj. Natyrisht forma më e lartë e këtij emancipimi ishte spiunllëku që gruaja i bënte burrit, në kuadër të funksionimit të “njeriut të ri”. Ky njeri ishte nën kudhrën e asaj shkolle që simpatizon Qosja e që nuk ishte gjë tjetër veçse e përshkruar nga filli ideologjik marksist - leninist. Zogu në dallim nga Enveri, ndërtoi arsim kombëtar, në të cilin nxënësi të kishte dashuri për atdheun e kombin. Zogu hoqi ferexhenë dhe emancipoi femrën shqiptare.


Kosova, Zogu dhe Hoxha


Ahmet Zogu punoi shumë për kosovarët. Punoi si me diplomaci, ashtu edhe me mjete të tjera. Kosovarët e përzënë nga trojet e tyre u siguroi strehë dhe tokë në Shqipëri. Enveri, përkundrazi, i përndoqi kosovarët që erdhën në Shqipëri, i shpalli të gjithë “spiunë të UDB-së” dhe i masakroi pa fund. Unë jam autori i përpilimit të një statistike për kosovarët dhe çamët e dënuar politikisht gjatë diktaturës, statistikë e cila deri tani është shumë e madhe.


Qosja dhe lufta


Politika që ndoqi Zogu thotë shoku Rexhep solli pushtimin e Shqipërisë. Kjo gjë thuhet në një mënyrë të tillë se a thua ishte Zogu që ndërtoi kampet ndërluftuese të kohës dhe a thua se ishte ky që mund t’i prishte e t’i rregullonte ato.


Jugosllavia, Zogu dhe Hoxha


Qosjen duhet ta falënderojmë se na ka hapur zemrën e ka dalë te Enveri i tij i dashur. Në raport me Jugosllavinë është mirë të thuhen gjërat siç janë. Ahmet Zogu nuk bëri bashkim doganor me Jugosllavinë. Enver Hoxha bëri bashkimin doganor me Jugosllavinë më 1946. Shqipëria nuk ishte vend i varfër kur Hoxha mori pushtetin, sikurse thotë Qosja duke pasur ndër mend filmat e kinostudion “Shqipëria e Re”, por ishte vend i pasur. Përveç sasisë së madhe të floririt që kishte, gjatë luftës kishte hyrë kapital i madh në vend. Enveri si vegël e jugosllavëve ia dha atë padronëve të tij. Këtë e pranon edhe vetë në librin “Titistët”. Është krim i pastër boshatisja e tregut shqiptar nga jugosllavët në vitet 1944 – 1948, falë naivitetit e pazotësisë së Enver Hoxhës e veglave të tij. Nuk ka asnjë rast që Zogut t’ia ketë hedhur ndonjë fuqi në dëm të ekonomisë së vendit. Se sa të madhe e kishin serbët dashurinë për Zogun, e japin komplotet e disa viteve si: kryengritja e Dukagjinit më 1926 – vepër e Beogradit, acarimi i marrëdhënieve më 1927, atentati i 1928-s në prag të shpalljes së Shqipërisë mbretëri, atentati i Vjenës më 1931, organizata e fshehtë viti 1932, kryengritja e Fierit e vitit 1935, etj. 

...