31-07-2013 / Gazeta 55

Mediat e majta u jargavitën dje me një shkrim të gazetës italiane “Il Giornale”, e cila e krahasonte kryebashkiakun e Firences me Edi Ramën, por përveç gjysëmdeklarimit të Renzit se ishte biseksual, s’ngjan të ketë ngjashmëri të tjera. Në Firenze, kryebashkiaku mund të shihet si ambicioz e reformator, por në Tiranë, kujtesa e të gjithëve shkon nga Rrenci i politikës, i cili po i ha premtimet e veta, ende pa kryer asnjë ditë në qeveri

Gazeta e së djathtës italiane “Il Giornale”, e themeluar nga Indro Montanelli, pronë e Silvio Berkuskonit, kish bërë një shkrim ironik për fitoren e Edi Ramës në Shqipëri duke e krahasuar me kryetarin e Bashkisë së Firences Mateo Renzi, një eskponentë i së majtës italiane që kërkon të bëhet udhëheqës i së majtës italiane dhe mandej kryeministër i Italisë. “Pas tetë vitesh në pushtet, partia më e madhe e krahut të djathtë po kalon një fazë rinovimi të detyruar, shkaktuar edhe nga fitorja e Ramës. Mbi ish-kryebashkiakun e  Tiranës, kritikat janë të përziera: disa i kanë vënë epitetin Renzi i Shqiponjave. Koalicioni i Ramës, Aleanca për një Shqipëri Evropiane që siguroi 84 vende, duhet gjithashtu të falënderojë edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim të Ilir Metës, e cila fitoi më pak se 16 vende, por katërfishoi ato të marra në vitin 2009”, shkruan gazeta italiane.
Më pas gazeta e Silvio Berluskonit shkruan se, “Edi Rama, është shprehur se mandati i tij si kryeministër do të karakterizohet nga dëshira për integrim në Evropë dhe synimi për çlirimin e ekonomisë shqiptare nga kriza e thellë më të cilët po përballet”. Por pas kësaj vjen një fjali e gazetarit Francesco de Palo që pyet në mënyrë retorike, “dakord, po si do ta bëjë këtë?”.
Dhe e gjen shpjegimin tek postimi i fundit i kryeministrit Berisha. “Një përgjigje qëndron në një postim të  kryeministrit Berisha në FB, ku ai është akuzuar se ka përdorur investimet e huaja si slogane zgjedhore. “Dikush e quajti mashtrim zgjedhor,"- shkruan Berisha, duke e akuzuar kundërshtarin e tij që kishte vënë në pikëpyetje, ekzistencën e transaksionit. Por përtej ngjyrës politike të qeverisë së re, dy projekte tashmë kanë nisur: hidrocentralet dhe puset e naftës. Shqipëria përshkohet nga 7 lumenj edhe pse shtrihet në vetëm 28 mijë km katrorë. Duke filluar që tani e deri në fund të vitit, qeveria do të japë 300 koncesione për shumë hidrocentrale, një biznes ku mund të marrin pjesë edhe sipërmarrës italianë. Së dyti, interesant është rasti i Albpetrolit, shfrytëzimi i kompanisë së naftës nga kompanitë italiane, një ujdi prej qindra milionë eurosh”.
Në një farë mënyre gazeta Italiane “il Giornale” i jep kredi politikës ekonomike të Sali Berishës në tetë vite qeverisje. 
Sidoqoftë ajo që duket e çuditshme, është keqpërdorimi nga ana e mediave afër Edi Ramës me tituj abuzues, të tipit, “Renzi i Tiranës” nxjerr në pension Berishën.
Po kalon pensionin në Facebook apo, Il Giornale: “Renzi i Tiranës fiton Shqipërinë, Berisha spostohet në Facebook, mbyllet era e tij”. Ndërsa, gazeta italiane titullin e kishte: “Renzi i Tiranës fiton Shqipërinë, mbyllet epoka e Berishës”, çka ishte në harmoni me shkrimin pozitiv. Por dëshira për të manipuluar e mediave të Edi Rama e kthejnë edhe Renzin e Firences në Rrencin e Tiranës, që kësaj radhe këmbët i ka të gjata. Padyshim krahasimi i kryebashkiakut të Firences Matteo Renzi me Edi Ramën nuk është i rastësishëm sepse disa muaj më parë Rama ishte për një vizitë në këtë qytet dhe takoi pretendentin për tu bërë kryetar i së majtës italiane. Dhe është në këtë kontekst që një gazetë e djathtë si “Il Giornale”, e themeluar nga Indro Montanelli, pronë e Silvio Berkuskonit, bën një shkrim ironik mbi përqasjen e dy politikanëve që s’kanë asgjë të përbashkët, përpos majtizmit socialist dhe faktit që Renzi ka deklaruar me shaka se është biseksual. Renzin e Firences nuk e lidh asgjë me Rrencin e Tiranës, apo jo? 

...