anastasi


Aurela Anastasi, konstitucionalistja e njohur më një sërë botimesh për të Drejtën Kushtetuese, shprehet se Kushtetuta nuk sanksionon në asnjë rast mosdekretim të ndonjë ministri të veçantë kur kemi të bëjmë me dekretimin e qeverisë së re.


Sipas saj, i vetmi kriter që penalizon një kandidat për ministër është dënimi me heqje lirie, në asnjë rast tjetër Kushtetuta nuk përcakton zgjidhje tjetër.


Është e vërtetë që Presidenti i Republikës emëron në detyrë ministrat me propozimin e Kryeministrit. Kompetenca e tij është një kompetencë formale në bazë të Kushtetutës, ndërkohë që kompetenca kryesore i përket Kryeministrit, i cili është ai që përzgjedh dhe cakton, duke i propozuar Presidentit të Republikës ministrin. Në këtë kuadër, Presidenti i Republikës, jo vetëm ka të drejtën që ta emërojë ministrin, por ka edhe detyrimin kushtetues që të bëjë emërimin e ministrave. Të paktën kjo është ajo që ne kemi argumentuar, nga sa sanksionohet në Kushtetutën shqiptare, por dhe në kushtetuta të vendeve të tjera që kanë regjim të ngjashëm parlamentar me Kushtetutën shqiptare. Mund të ndodhë që Presidenti i Republikës të verifikojë figurat që janë propozuar nga Kryeministri i vendit dhe madje, ekziston mundësia që ai ti refuzojë ata, duke paraqitur arsyet dhe shkaqet e refuzimit Kryeministrit. Por ky refuzim mund të bëhet vetëm mbi bazën e Kushtetutës dhe të ligjit, thotë Anastasi për gazetën Panorama.


Sipas saj, kriteret që duhet të përmbushë një ministër janë: Kriteret janë mbushja e moshës 18 vjeç dhe të mos jetë një njeri që është duke vuajtur me heqje lirie. Sepse ka ndryshim mes njeriut të dënuar dhe njeriut që po vuan dënimin me heqje lirie. Sepse personat që janë duke vuajtur dënimin me heqje lirie, kanë të drejtë vetëm të zgjedhin dhe jo të zgjidhen. Kushtetuta shprehimisht ka referuar cilësitë për tu zgjedhur ministër, të njëjta me ato cilësi që duhet të kenë personat që zgjidhen deputet./ep