Mbrojtësi kavajas Andi Lila është përforcimi i radhës i Tiranës. Gjithsesi, në kontratën e tij parashikohet që nëse Lila ka një ofertë nga një klub jashtë shtetit, ai është i lirë të largohet. 

23-herë kampionët janë mbushur me të rinj si kurrë më parë, të paktën ata që po stërviten me skuadrën e Tiranës në Maqedoni. Në portë janë Eni Malaj e Klajdi Kuka. Në mbrojtje rreshtohen: Muça, Kazazi e Tafaj. Mesfusha kompletohet me Migel Metanin. Edhe sulmi ka disa të rinj të talentuar: Ergys Sorra e Blerti Hajdari. Të gjithë këta janë pëlqyer nga trajneri kroat i bardhebluve Bllazhe Slishkoviç. Këtyre u shtohen edhe Erbim Fagu e Jetmir Stefa, që janë titullarë në ekipin e parë. Ndërkaq, Tirana është në kërkim të lojtarëve cilësorë për të kompletuar një skuadër të denjë për titullin. Presidenti i radhës i bardhebluve, Refik Halili dhe drejtues të tjerë të Tiranës do të bisedojnë sot në mbrëmje në hotel "Rogner Europapark" me menaxherin e njohur të FIFA-s, Sokol Haxhiaj, i cili ndodhet prej ditës së djeshme në kryeqytetin shqiptar.