Procesi

Matilda Petriti, vajza 17-vjeçare nga Pogradeci, kishte hemorragji në momentin kur u shtrua në qendrën spitalore “Nënë Tereza”. Kështu ka deklaruar para trupit gjykues mjeku anestezist pranë QSUT-së, Igli Zhilla, i cili ka asistuar së bashku me mjekun Xhevahir Hoxhallari, në ndërhyrjen e parë ndaj vajzës. Zhilla, i thirrur nga pala e akuzuar, ka qenë dëshmitari i vetëm në seancën e zhvilluar dje në Gjykatën e Tiranës. Ai pohoi se vajza kishte shfaqur probleme shëndetësore që ditën e dytë të shtrimit në spital. “Mjeku Hoxhallari më ka kërkuar që ditën e dytë ta kontrolloj vajzën, sepse kishte shfaqur probleme, përgjithësisht kishte gjendje të qëndrueshme fizike, ndërkohë që analizat e mëvonshme treguan që vajza kishte hemorragji. Menjëherë pasi u konsultuam me mjekun Hoxhallari, e futëm në anestezi, për të parandaluar hemorragjinë, e cila ishte në hapat e para”, deklaroi Zhilla në gjykatë. Pala mbrojtëse kërkoi të bënte disa pyetje, por ato u cilësuan të pavlefshme nga trupi gjykues, duke e argumentuar këtë me faktin se dëshmitari do të fliste vetëm për atë çka dinte. Gjatë seancës së kaluar, disa ekspertë mjeko-ligjorë kanë zbardhur një raport prej 50 faqesh dhe u janë përgjigjur 68 pyetjeve të hartuara nga prokuroria për të sqaruar pozicionin e mjekut Hoxhallari, i akuzuar për mjekim të gabuar me pasojë vdekjen. Raporti mjekoligjor i ekspertëve e rëndoi pozicionin e mjekut, sepse sipas raportit, shkak për vdekjen e vajzës janë bërë ndërhyrjet e shpeshta kirurgjikale, të cilat kanë shkaktuar hemorragji dhe infeksion, shkak për të cilin vdiq dhe vajza.








#