Në më shumë se 400 shkolla në Angli është dërguar një e-mail, ku kërcënohej se kishte bomba që do të shpërthenin aty, nëse nuk do të dorëzoheshin para në shkëmbim.


Një numër i madh i shkollave u evakuuan pas mbërritjes së mesazhit në postën elektronike, ku kërkoheshin të holla prej tyre, ndërsa policia në një komunikatë për shtyp ka sqaruar se e-mail i ardhur në llogaritë e tyre është mashtrim.


Policia e Humberside tha se kolegët kundër terrorizmit kishin arritur në përfundimin se kërcënimet nuk ishin “të besueshme”.


Shkollat në Londër, Manchester dhe Yorkshirin Verior ishin mes atyre që morën e-mailin mashtrues.


Forcat policore në Cumbria, Cambridgeshire, Humberside, Hertfordshire, Lincolnshire, Derbyshire, Avon dhe Somerset gjithashtu kanë lëshuar deklarata duke thënë se shkollat dhe kolegjet në zonat e tyre kishin qenë në shënjestër.


Në Humberside, 19 shkolla raportuan se morën kërcënimin. Detektivi Tony Cockerill, tha: “Ne kemi folur me të gjitha shkollat që na kanë kontaktuar, dhe i siguruam ata se nuk ka nevojë të evakuohen dhe u ofruam këshilla për sigurinë”.


Sekretarja kryesore e Policisë së Mançesterit, Vanessa Jardine, tha se ajo kuptoi se prindërit dhe publiku i gjerë ishin shumë të shqetësuar, duke shtuar: “Dua t’ju siguroj se po punojmë ngushtë me të gjitha shkollat për të siguruar sigurinë e nxënësve dhe stafit.


“Ne po kryejmë kërkime të gjera për të kuptuar rrethanat e plota dhe megjithëse aktualisht nuk besohet të jetë ndonjë kërcënim i drejtpërdrejtë, ashtu si me çdo raport të kësaj natyre, të gjithë po hetohen tërësisht”, shtoi më tej Jardine.


Një deklaratë e policisë së Yorkshirit Veriore e përshkroi kërcënimin si një “mashtrim”, duke shtuar: “Detektivët e njësisë për krimin kibernetik, të mbështetur nga zyrtarët lokalë, kanë parë këto incidente dhe nuk besohet se ka ndonjë kërcënim të vërtetë”.


Ndërkohë, Departamenti i Arsimit i ka kërkuar çdo shkolle që merr këtë e-mail, që të kontaktojë forcën e tyre policore lokale – edhe pse një version i e-mailit që është postuar në Twitter paralajmëron që shkollat të mos e bëjë diçka të tillë.


19 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)