Saliman Barçi, 41-vjeçari nga Shqipëria me shtetësi britanike, ka humbur betejën e tij ligjore për të mos u ekstraduar nga Anglia, pasi kërkohet nga autoritetet shqiptare për vuajtjen e dënimit me 25 vite heqje lirie.


Ai është akuzuar dhe shpallur fajtor nga drejtësia shqiptare në mungesë në vitin 2009, në lidhje me dy vrasje të ndodhura në Burrel në vitin 1997. Sipas shtypit britanik, ai ka jetuar me identitet të rremë që prej 14 vitesh me ndihma sociale nga shteti anglez.


Gjykatësit në Gjykatën e Apelit hodhën poshtë kërkesën e avokatëve të Barçit, bazuar në të drejtat e njeriut. Baba i 3 fëmijëve dhe me banim në Londrën veriperëndimore, Saliman Barçi, sipas tabloidit britanik Daily Mail i ka kushtuar 100 mijë sterlina taksapaguesve anglezë, vetëm me shpenzimet legale për procesin e ekstradimit.


Sipas gjykatëses Justice Sharp, e drejta për ribërje të procesit ndaj tij në Shqipëri, si i dënuar në mungesë ishte një e drejtë reale dhe efektive dhe Barçi mund të presë një proces të ndershëm gjyqësor ndaj tij.


Autoritetet shqiptare kishin premtuar ta mbronin atë nga gjakmarrja dhe kushtet në burgjet shqiptare janë përmirësuar së tepërmi, sipas medias britanike. Avokati i Barçit, Ben Cooper tha se, edhe pse ai do të kishte ribërje procesi, ai ishte i pakuptimtë, në një kohë kur sistemi i drejtësisë është tejet i korruptuar.


Sipas juristit Daniel Sternberg, që mbronte qeverinë shqiptare në Gjykatën britanike të Apelit, procesi ndaj Saliman Barçit do të kryhej nga Gjykata shqiptare e Apelit dhe jo nga gjykatësit që e shpallën atë fajtor.


Saliman Barçi është i dyti shqiptar që depërtohet në Shqipëri nga Britania, brenda pak javësh, për veprat e tyre penale dhe dënimet e marra nga gjykatat shqiptare. Ditë më parë, Avni Metra nga Burreli u ekstradua në Tiranë nga Britania.


Një numër i papërcaktuar shqiptarësh, që kanë pasur probleme me drejtësinë në Shqipëri, kanë mundur ndër vite të vijnë në Britani dhe të kërkojnë azil me identitete të rreme ose të qëndrojnë ilegalisht në ishull.


1 mars 2017 (gazeta-Shqip.com)