Autori i Lajmit: Redaksia




Londër - Gara për drejtimin e Partisë Laburiste Britanike është kthyer në një garë mes vëllezërish. Eduard Miliband, ish-ministër i Energjisë, ka konfirmuar dje kandidaturën e tij, vetëm pak ditë pasi zbriti në fushë vëllai i tij i madh, David, ish-ministër i Jashtëm. “Të gjithë më pyesin se për kë do të bëjë tifozllëk mamaja jonë”, - ka deklaruar pak çaste pas shpalljes së kandidaturës Ed, duke njoftuar kandidaturën në një fjalim në selinë e “Fabian Society”. Milibandët, të cilët janë vëllezërit e parë që i kanë shërbyer njëkohësisht qeverisë, janë për momentin kandidatët e vetëm për drejtimin e Partisë Laburiste, pas dorëheqjes së njoftuar nga ish-kryeministri Gordon Braun. Eduard deklaroi dje se partia duhet të jetë “e hapur dhe e ndershme” dhe se qëndrimin në opozitë duhet ta shfrytëzojë si një mundësi për tu rinovuar. “Kemi humbur kontaktin me vlerat që na bënin një forcë progresiste”,- ka pohuar ish-ministri i Energjisë, duke ia atribuuar humbjen luftës në Irak dhe skandalit të rimbursimit të shpenzimeve të deputetëve. Ed Miliband, 40 vjeç, "shfrytëzoi" dje fjalimin në Londër në një konferencë të Fabian Society për të shpallur formalisht kandidaturën e tij përballë vëllait David.

Sipas disa aktivistëve që morën pjesë dy ditë më parë në një takim elektoral në zonën e Ed Miliband, në Doncaster North, vëllai i vogël i ish-ministrit të Jashtëm deklaroi se e kishte menduar gjatë këtë vendim. "Unë dhe vëllai im jemi dakord për faktin se partia ka nevojë për sa më shumë zgjedhje”, - përfundoi Ed. Vëllezërit Miliband janë fëmijët e dy prindërve hebrenj polakë, të cilët emigruan në Britaninë ne Madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Babai, Ralph Miliband, ishte një teoricien i shquar marksist. David është personi më afër politikës së Toni Blerit. I martuar me një violiniste, ata kanë adoptuar dy fëmijë. Kurse Ed është rritur më shumë afër Braunit. Ai është i martuar me një avokate, me të cilën ka dhe një fëmijë.



Ky lajm është publikuar: 16/05/2010