Katër muaj pasi Kroacia ju prishin ëndrrën e Its Coming home, duke i eliminuar nga gjysmëfinalet e botërorit Rusi 2018, Anglia mori hak në mitikun londinez Wembley, duke mposhtur ballkanasit me përmbysje 2-1 dhe duke i zbritur në Divizionin B të Ligës së Kombeve.


Fansat anglezë në stadium, por edhe ata nëpërmjet ekranit patën mundësinë të shijojnë një sfidë spektakolare, veçanërisht në 45-minutëshin e dytë të saj, kur edhe u shënuan të tre golat e sfidës.


Gjithçka nisi në minutën e 58, kur Kramariç vallëzoi mes mbrojtjes së 3 luanëve dhe me një gjuajtje të bukur, arriti të dërgojë topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga Pickford, duke kaluar Kroacinë në avantazh.


Gjithsesi të besuarit e Gareth Southgate nuk mund të pajtoheshin gjithsesi, që Kroacia tu ndërpriste një tjetër synim dhe u hodhën në sulm, në kërkim të fitores së madhe, që do tu jepte automatikisht edhe vendin e parë në grup.


Ishte kapiteni Harry kane ai që mori për dore britanikët, pasi në minutën e 78 asistoi për Jese Lingard, me yllin e United që riktheu baraspeshën, ndërsa në të 84-ën, ishte vetë sulmuesi kryesor i 3 luanëve, që shënoi edhe golin e dytë për Anglinë.


Me këtë sukses Anglia mbyll fazën e grupeve në vendin e parë dhe tashmë do të luajë me 3 skuadra të tjera, për të diskutuar kampionen e Ligës së Kombeve, ndërsa Spanja mbetet në vendin e dytë dhe Kroacia e fundit, zbret në Ligën B, për edicionin e ardhshëm.


18 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)