Një anije transporti me 40 emigrantë është bllokuar prej ditësh jashtë brigjeve tuniziane. Tunizia, Italia dhe Malta kanë refuzuar hapjen e porteve të tyre për të lejuar emigrantët të zbresin. Këta të fundit, kishin ikur nga Libia javën e kaluar dhe pas një avarie mbetën 5 ditë në det pa ushqim dhe ujë, para se të shpëtonin. Ekuipazhi i anijes, Sarost 5, tha se ata kishin njerëz me probleme shëndetësore në bord, një grua shtatzënë dhe racionet e ushqimit dhe ujin në mbarim.


“Ne kemi mbetur në det të hapur jashtë brigjeve të Tunizisë, ne jemi të lodhur, – tregon një anëtar i ekuipazhit. – Kemi vetëm ushqim për dy ditë dhe 30 pako me gjashtë shishe uji”. Forumi Tunizian për të Drejtat Ekonomike dhe Sociale (FTDES), një shoqatë tuniziane që ndihmon emigrantët, shpjegoi se Tunizia refuzon të mirëpresë emigrantët sepse “ajo nuk dëshiron të bëhet një strehë e sigurt për shtetet evropiane”.


Emigrantët vijnë nga Egjipti, Mali, Nigeria dhe Bangladeshi. Ata ishin parë nga një punonjës i një platforme tuniziane të naftës, të menaxhuar nga Miskar, e cila dërgoi një nga anijet e furnizimit të kompanisë për shpëtim, Sarost 5. Për momentin, pasi u përpoq ta tërhiqte në portin e Zarzis, në Tunizi dhe duke u përplasur me një tjetër ndalim në ankorim, anija mbetet sërish e bllokuar në brigjet e vendit afrikan.






























18 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)