Turqia ka dërguar një kërkesë të dytë Shteteve të Bashkuara për ekstradimin e klerikut Fetullah Gulen, i cili akuzohet nga Ankaraja si ideatori dhe mbështetësi i tentativës për grusht shteti.


Lajmi është konfirmuar nga ministri i Drejtësisë, Bekir Bozdag, i cili u shpreh se materiali që i adresohet për herë të dytë ShBA-së është më i zgjeruar se kërkesa e parë që u dërgua në 19 korrik.


Ndërkohë, përfaqësuesit e qeverisë turke, kanë ushtruar edhe njëherë presion për ekstradimin e klerikut që jeton në Pensilvani që prej vitit 1999. Ata janë shprehur se Turqia do të zhgënjehej ShBA-ja nëse Uashingtoni do të refuzojë kërkesën për të dërguar 75-vjeçarin përpara drejtësisë turke.


Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara kanë nënvizuar se ekstradimi i Gulen do të ndodhë vetëm nëse autoritetet turke do të paraqesin prova të arsyeshme kur të vërtetohet se Gulen ishte i përfshirë në tentativën e rrëzimit të shtetit nga një fraksion i ushtrisë turke. Aktualisht, kleriku 75-vjeçar është në listën e terroristëve më të kërkuar nga Turqia. Gjithashtu, çdo qytetar i cili shfaq mbështetje për Gulen, akuzohet si mbështetës i organizatës terroriste FETO.


Deri më tani, Turqia ka arrestuar ose ka shkarkuar nga detyra më shumë se 60.000 persona. Këta të fundit do të jenë në pritje të një vendimi nga gjykata, ndërkohë që parlamenti turk do të diskutojë shumë shpejt edhe mundësinë e rikthimit të dënimit me vdekje. Ndërkombëtarët i kanë bërë thirrje Turqisë që në gjykimin e puçistëve të thyejnë parime të rëndësishme si sundimi i ligjit.


/Ora News/


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter