Ankaraja, në luftë me ndërgjegjen



Ankaraja zyrtare duket se po kalon periudhën më të vështirë të pothuajse 30 viteve të fundit nga koha kur u përjetuan konfliktet Turqi-Qipro. Çaste të vështira po kalon gjithashtu edhe qeveria e dytë e kryeministrit Rexhep Tayyip Erdogan.



Erdogan tashmë është përfshirë në konflikte të njëpasnjëshme. Nga njëra anë është rezoluta e Washingtonit e cila akuzon Turqinë për Genocid në Armeni gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore. Nga ana tjetër qëndron terrori i PKK-së, i cili po i kushton qeverisë besimin e mandatit të dytë që populli i dha, pasi numri i ushtarëve turq që po vdesin në përleshje po rritet nga dita në ditë.



Ndërkohë, edhe pse e ndërgjegjshme se hyrja në Irakun e Veriut e forcave ushtarake turke është një buton i shtypur nga larg dhe që synon përçarje dhe trazira në Turqi, qeveria e Ankarasë duket se është e detyruar të ndërmarrë një sulm të tillë, ose më e pakta e mundshme, ta pranojë atë.



Me rezolutën e miratuar në parlament për ndërhyrje në këtë zonë, Ankaraja ka rrezikuar në marrëdhënie të shumëanshme. Ajo i ka dërguar mesazhe jo vetëm vendeve fqinje, por edhe Brukselit dhe Washingtonit. Në këtë moment, nuk mund të flitet për cënim të interesave të njërës palë, Turqisë apo SHBA-ve. Nga një vendim i tillë janë të dyja palët që dalin të humbura dhe që ju cënohen interesat e tyre. Eshtë mëse e qartë se ky konflikt nuk do të zgjasë shumë dhe secila palë do të marrë pozicionin e duhur, por ajo që është më e rëndësishme, është që Ankaraja dhe Washingtoni duhet të ulen, të rishikojnë dhe ti riemërtojnë marrëdhëniet që kanë.



Nga njëra anë është senati amerikan ai që me miratimin e rezolutës ku e akuzon Turqinë për gjenocid në Armeni, ka ndezur gjakrat e turqve duke sprovuar kështu guximin e Ankarasë. Nga ana tjetër, është po mbështetja e fshehtë e pretenduar nga liderët turq që Pentagoni i jep PKK-së. Vetëm pak ditë para ngjarjeve të përgjakshme ku humbën jetën me dhjetra ushtarë turq, kreu i opozitës turke Deniz Baykal u shpreh kundër negociatave të kryeministrit turk Erdogan me palën amerikane, duke i akuzuar ata në mënyrë të drejtpërdrejtë si mbështetës të terrorit kurd në këtë zonë.



Dhe pas gjithë këtyre zhvillimeve, Sekretarja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkauara Kondoleza Rice, ishte e para që dha sinjalin e një zgjidhjeje të mundshme duke i kërkuar Ankarasë disa ditë kohë deri në një tjetër vendimmarrje të re nga ana e Washingtonit.



Por, një zgjidhje paqësore pa luftë e gjak terroistësh kurd, vallë a do të jetë qetësim për popullin turk që ka humbur rreth 37 mijë ushtarë, oficerë dhe mësues në moshë fare të re? A do të qetësohen ata pas protestave që kanë ndërmarrë ditëve të fundit në pothuajse të gjithë qytetet? A është e mundur që të mos përsërisin 1914 e Çanakkalasë ku në mbrojtje të vendit dhanë jetën 253 mijë dëshmorë?



Më poshtë po radhis mënyrën se si ka evoluar zhvillimi i PKK-së:



Partia e jashtëligjshme e Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, militantët e armatosur të së cilës kanë vrarë 12 ushtarë turq gjatë fundjavës, i ka filluar operacionet e para të përgjakshme në Turqi përpara 23 vjetëve.



Rebelët kurdë të PKK-së, e krijuar në vitin 1978, filluan më 15 gusht të vitit 1984 luftën e armatosur kundër pushtetit qendror për krijimin e një shteti të pavarur në juglindje të Turqisë, duke e bërë çështjen kurde problemin kryesor të Turqisë.



Sipas një bilanci zyrtar, aktet e dhunës lidhur me konfliktin kanë shkaktuar që prej atëherë më tepër se 37 000 të vdekur. PKK-ja i ka intensifikuar operacionet kundër ushtrisë në juglindje të vendit pasi i ka dhënë fund në vitin 2006 një armëpushimi të njëanshëm.



Autoritetet turke e fajësojnë gjithashtu PKK-në për disa atentate me bombë në Stamboll dhe në disa qytete bregdetare në perëndim të Turqisë. Organizata i hedh poshtë këto akuza dhe përmend veprimin e një dege radikale që i shpëton kontrollit të saj.



Kërkesat e PKK-së në favor të pavarësisë së zonës kurde të Turqisë janë ndërruar me kërkesa për autonomni brenda një sistemi federal, për amnisti të rebelëve duke garantuar pjesëmarrjen e tyre në jetën politike dhe me lirimin e shefit të tyre Abdullah Oçalan, i burgosur në një ishull-burg në veriperëndim të Turqisë.



Pas kapjes në Kenia dhe dënimit me vdekje që u ndryshua në dënim me burgim të përjetshëm të Oçalanit në vitin 1999, PKK-ja hoqi dorë nga pavarësia dhe deklaroi njëanshmërisht një armëpushim që nuk është njohur asnjëherë nga Ankaraja.



Rreth 3 500 militantë zgjodhën si vendbanim të ligjshëm veriun e Ankarasë, nga ku ata futen në territorin turk për sulme sporadike, sipas Ankarasë, që i kërcënon ata me reprezalje ushtarake në tokën irakiane.



Tridhjetë e dy rebelë janë vrarë gjatë përleshjeve më të ashpra të viteve të fundit me forcat e aramtosura si kundërpërgjigje ndaj sulmit të tyre që shkaktoi vdekjen e 12 ushtarakëve në orët e para të së dielës në provincën Hakkari, kufi me Irakun.



PKK-ja, e konsideruar si organizatë terroriste nga Ankaraja, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evroian, është shpërbërë në prill të vitit 2002 për të marrë emrin Kadek, Kongresi për Demokracinë dhe Lirinë e Kurdistanit, më tej Kongra-Gel dhe në vitin 2005 rimerr emrin e saj fillestar.



I gjithë krahu ushtarak i PKK-së ndodhet në kampe të ngritura të Kurdistanit irakian, ndërsa krahu politik përfaqësohet nga politikanë kurdë të mërguar në disa vende të Evropës Perëndimore, sidomos në Belgjikë.



Edhe pse Oçalan gëzon ende një influencë në PKK të cilën e drejtoi me dorë të hekurt, ish-zëvendës, si vëllai i tij, Osman, e kanë braktisur atë pas burgosjes.



Komandanti kryesor ushtarak i PKK-së sot është Murat Karayilan. Ai përfaqëson krahun e ashpër të PKK-së dhe ndodhet gjithashtu në veri të Irakut.