Platforma e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al na është prezantuar nga qeveria Rama deri tani si një shembull suksesi dhe përgjigja në kohë për 272 ankesa të qytetarëve për ALUIZNI-n dhe Hipotekat, sipas  ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj e provon këtë.


Gjonaj në një dalje për mediat e informoi publikun për valën e shkarkimeve dhe masave disiplinore të ndërmarra ndaj punonjësve të këtyre dy institucioneve dhe që sipas saj përfaqësojnë rezultatin e kontributit të drejtpërdrejt të qytetarëve në luftën e përbashkët kundër grabitqarëve e parazitëve që janë ende të pranishëm në administratë.


Sipas ministres janë marrë 91 masa, nga të cilat 46 largime nga detyra, ndërsa për 29 punonjës të tjerë të administratës është marrë masa administrative vërejtje me shkrim.


Janë zgjidhur me rezultate konkrete për qytetarët shumë raste duke pajisur ata me certifikatat e pronësisë. Ankesat janë zgjidhur brenda 10 ditëve, afat i përcaktuar në Platformë. Janë zgjidhur sepse qytetarët nuk kanë ndenjur duarkryq apo të prisnin veprimin përmes mikut dhe sekserit të radhës. Ata qytetarë që kanë bashkëvepruar nëpërmjet platformës kanë vënë në provë gatishmërinë tonë, u shpreh Gjonaj.


Ministrja argumentoi më tej se Platforma e Bashkëqeverisjes nxjerr përgjegjësinë e qartë për zvarritjet e kërkesave të qytetarëve në zyrat e shtetit, falë ankesave të atyre që nuk bëhen palë me korrupsionin.


Çdo ankesë që ka buruar nga papërgjegjshmëria e punonjësve të administratës ka ndihmuar në pastrimin e zyrave nga këta punonjës. Është kryer një analizë e detajuara që ka nxjerrë përgjegjësit. Kushdo që pengon ose bllokon për qëllime korruptive apo thjeshtë vonon për neglizhencë qytetarët në marrjen afat të shërbimit sipas ligjit është problem i yni i përbashkët. Përsëris thirrjen për çdo qytetar që ndesh ne pengesa te ALUIZNI dhe Hipotekat të na drejtohet nëpërmjet platformës së bashkëqeverisjes Duam ndihmën e çdokujt që has abuzimin me detyrën shtetërore në zyrat e shtetit. Qytetarët janë aleati ynë i madh në këtë mandat. Sa më shumë të na kërkojnë llogari për atë çka ndodh në zyrat e shtetit, aq më shumë realizojmë pastrimin e këtyre zyrave nga shkelësit e ligjit, theksoi Gjonaj.


15 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)