Teatri Metropol Qendra Kulturore Tirana, organizon sot në mbrëmje koncertin Në Konak të Ansamblit Folklorik Tirana. Ky koncert, me udhëheqës artistik Armela Demaj dhe koreograf Rudina Demaliaj e Donald Martini sjell motivet më të mira të trashëgimisë kulturore të të gjitha trevave të Shqipërisë, të këngëve, valleve dhe kostumeve popullore nga jugu në veri sot në ora 20:30. Ansambli Tirana me nje traditë të gjatë në interpretimin e folklorit të Tiranës dhe Shqipërisë së Mesme tashmë si Ansambli i kryeqytetit zgjeron repertorin e tij duke përfshirë këngë e valle nga gjithë trevat dhe traditat shqiptare.


Trashëgimia jonë kulturore në kënge e valle plot ngjyra e karakter duhet njohur, nderuar dhe pasuar brezave që vijnë dhe me këtë qëllim janë të përfshirë Në Konak edhe grupi i fëmijëve si pjesë përbërësë dhe aktive e festës shprehet Udhëheqësja Artistike e koncertit, Armela Demaj. Koncerti përfshin një program artistik rreth 90 minuta, i cili promovon vlerat më të mira të traditës shqiptare dhe do të mbahet në atriumin e Muzeut Historik Kombëtar. Ansambli Folklorik Tirana është themeluar në vitin 1978.


Ai vjen nga një traditë e gjatë e ansamblit popullor dhe është i përbërë nga një grupim artistësh, të cilët mbajnë gjallë, ruajnë dhe kultivojnë muzikën popullore shqiptare, këngët dhe vallet tradicionale të Tiranës dhe Shqipërisë së Mesme. Edhe pse fokusi i tyre është Shqipëria e Mesme, repertori kryesor i Ansamblit Folklorik Tirana është i pasur dhe përfshin te gjithë traditat muzikore të mbarë Shqipërisë. Realizimi i këtij koncerti është që ti sjellim publikut pak harmoni nga tradita, kultura dhe vlerat tona folklorike.


Ansambli Tirana përgjithësisht përbëhet nga të rinj duke filluar nga mosha 16- 20 vjeç dhe për tu vlerësuar është fakti që këta të rinj e duan dhe e kanë pasion vallen shqiptare. Muzika, instrumentet dhe kostumet janë autentike të Shqipërisë. Shfaqjet e Ansamblit përfshijnë lloje të ndryshme të kostumeve nga krahina të ndryshme të vendit, si dhe instrumente të veçanta muzikore që janë bërë nga ana e instrumentistëve tradicionale. Ansambli Tirana është fitues i shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky ansambël zhvillon koncerte të ndryshme në Tiranë, por merr pjesë edhe në Festivale Kombëtare dhe Ndërkombëtare të Folklorit. Gjithashtu, merr pjesë në të gjitha aktivitetet artistike të organizuara në bazë të kalendarit artistik të Bashkisë së Tiranës dhe Qendrës Kulturore Tirana.


7 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)