In memoriam për Ernesto Sabato

Sabato: Shqipëria "... më priti si bamirës, si mbret, si birin e dashur"

Dihej atëherë, "Veve Group" administronte fondacionin kulturor që, heshturazi përpiqej të bënte Ministrinë e Kulturës. Me kohë, në vartësi të parave, shpalli se jepte një çmim vjetor për një shkrimtar botëror. Pasi qe marrë pëlqimi, u emërtua "Çmimi Kadare", përfshirë shpërblimin prej 20 mijë dollarësh amerikanë.

Shkrimtarja M. Meksi ishte përgjegjëse kryesore. Ajo njoftoi ardhjen në Televizionin Shqiptar, në një takim të paralajmëruar, për të përgatitur një lajm mbi një ngjarje që ndodhte për herë të parë, më 1994. Nuk ishte më sekret as emri i autorit të përzgjedhur si fitues. Ai qe shkrimtari botëror argjentinas Ernesto Sabato, me një degë me gjak të hershëm arbëresh, siç e ka pohuar edhe vetë. Prindërit e tij ishin emigrantë italianë nga Kalabria, i ati quhej Francesco Sabato dhe nëna Giovanna Maria Ferrari, arbëreshe nga San Martino di Finita.

Kërkesa e Mirës qe e drojtur, përkundër natyrës së saj të shpenguar. Ose, më shumë të thuash, qe e thjeshtëzuar. I thashë se do të bëja tjetërçka: ftoja shkrimtarin Ernesto Sabato në transmetim të drejtpërdrejt në studio.

-Cili gazetar do të drejtojë bisedën?

-Ti, - iu përgjigja, - sepse je njohëse e spanjishtes dhe e veprës së shkrimtarit. Kështu, biseda ka mundësi të dalë e shkathët, e beftë dhe e bukur.

Atëherë përcolla ftesën që Ernesto Sabato, me të përfunduar bisedën, të vizitonte edhe Televizionin Shqiptar. Shkrimtari i njohur, mjaft i moshuar dhe kurajoz për të ndërmarrë udhëtimin e gjatë nga Argjentina në Shqipëri me gjithë ato vite nën lëkurë, u shfaq në drejtori. Qe thatim, si nga një shtrydhje e thellë e jetës. Mbante syze shumë të errëta, që nuk i hiqte asnjëherë. Buzëqeshjen e kishte energjike. Spanjishten të shpejtë. Lëvizjet, çuditërisht, të shkathëta. Humorin të pandërprerë. Me këtë vend kishte lidhje gjaku, sepse vet tha gjatë bisedës televizive që, "gjyshja ime nga nëna është shqiptare".

-Që kur zbrita në aeroportin e Rinasit, gjatë pak orëve nëpër rrugët e Tiranës dhe deri këtu në Televizion, kam marrë dy përshtypje të mëdha: njerëzit me fytyra të qeshura dhe vajzat shumë të bukura. Oh, sa të bukura!- tha. Pasthirrma e pasfjalëve, Ernesto Sabatos i doli pa vetëdije, si për të kuptuar që, vajzat pranë dhe rinia e tij, qenë larg.

Si për rastësi, gjatë zbritjes së shkallëve, disa zonjusha të bukura u shfaqën tek ngjiteshin ose zbrisnin katet, për arsye të ndryshme ose thjesht për varavingo. Duke ia njohur shkrimtarit pikën e dobët, secilën prej tyre e ndaloja tek Sabato. Ai i vështronte dëshirueshëm, me sytë që i xixëllonin nga përtej qelqeve, edhe pse errësues. I përqafonte e i puthte pa të keq. U thoshte fjalë lavdëruese në spanjisht. Për çdo njërën që takoi, shqiptoi të njëjtën pyetje, për t'i dhënë vetes të drejtë, mbi zbulimin befasues:

-Shikoje, a nuk është shumë e bukur?!

Sa shumë zgjati zbritja e katër kateve, përshkimi i hollit të gjerë dhe dalja në rrugë, ku e priste vetura për t'u larguar!

Në ato ditë të qendrimit në Shqipëri, në vitin 1995, u organizua një veprimtari luksoze, në të cilën Presidenti Sali Berisha i akordoi shkrimtarit Ernesto Sabato titullin e lartë "Nderi i Kombit".

Pas kthimit në Argjentinë, në vitin 1998 Ernesto Sabato botoi librin autobiografik Antes del fin - Përpara fundit. Aty flet edhe për vizitën në Shqipëri. Ndër të tjera shkruan: "Në Tiranë pata një ndër nderimet më emocionuese të jetës sime. Ai vend që duroi tiraninë e, ku akoma mund të shihen mbetjet e diktaturës, fytyrat e rrudhosura nga vuajtjet dhe bunkerët e errët që u ndërtuan nga tirani, më priti si bamirës, si mbret, si birin e dashur".

Ernesto Sabato, i lindur më 24 qershor 1911, ndërroi jetë të shtunën e 30 prillit 2011, gati dy muaj para se të mbushte 100 vjeç.