Një shqiptare që është bërë imazhi i javës së qeverisjes vendore në Toronto të Kanadasë. Anxhela Paparizo, një nga punonjëset e Bashkisë së Tiranës, në kohën që ajo drejtohej nga Edi Rama tregon për "Gazeta Shqiptare" përvojën e re, në Bashkinë e Burlingtonit, një qytet midis Torontos dhe Niagara Falls.
Ju keni disa vite që jetoni në Kanada. A mund të na tregoni pak eksperiencën tuaj atje?
Kanadaja është një shtet social, i cili ofron mundësi të barabarta punësimi për emigrantë nga e gjithë bota. Në këtë vend respektohen në maksimum të drejtat e njeriut dhe gjithsecili trajtohet me dinjitet dhe respekt, pavarësisht racës etnike, besimit fetar, statusit social etj. Unë jetoj në Burlington, një qytet i vendosur midis Torontos dhe Niagara Falls (rreth 30-45 min larg secilit qytet). Burlington është cilësuar nga 'Money Sense Magazine' si "Qyteti më i mirë për të jetuar në Kanada" për vitin 2013 (madhësia e mesme) dhe "Qyteti më i mirë për të jetuar në Kanada" për vitin 2012 (nga të gjithë qytetet). Ky fakt ka krijuar një ndjenjë krenarie tek qytetaret, ku të gjithë punojnë për të jetuar sipas këtyre standarteve e për t'i mbajtur ato. Unë emigrova në Kanada në vitin 2008. Arrita të siguroj një vend pune pas dy muajsh. Gjatë kësaj kohe kam përjetuar shumë eksperienca të reja, të cilat më kanë ndihmuar t'i përshtatem kulturës kanadeze dhe kanë pasuruar akoma më shumë bagazhin tim të njohurive në fusha të ndryshme si financë, administrim, menaxhim projektesh, marrëdhënie me publikun, kulturë etj. Në Bashkinë e Burlingtonit u punësova në dhjetor të vitit 2011. M'u desh të konkurroja në dy nivele (dy intervista me dy komisione të ndryshme). Pas intervistës sime të dytë, punonjësja e burimeve njerëzore më mori në telefon dhe më tha se komisioni ishte shumë i impresionuar me mua dhe dëshironte të më ofronte vendin e punës. Gjatë gjithë kësaj kohe kam punuar me shumë përkushtim e intensitet dhe kam ndjekur të gjitha trajnimet e mundshme të ofruara nga bashkia, të cilat kontribuuan në rritjen e nivelit tim profesional; rreth 15 trajnime në dy vjet.
Këto ditë pamë një poster ku jeni zgjedhur si imazh në javën e qeverisjes vendore. Cila është puna që bëni ju konkretisht në bashki?
Unë jam përgjegjëse për programin e artit publik dhe kulturën. Raportoj në nivel të Drejtorit të Përgjithshëm. Dy vitet e fundit jam angazhuar me një projekt të rëndësishëm mbi Strategjinë dhe Planin Kulturor të qytetit i cili përfshin: rishikimin e literaturës së 10 viteve të fundit mbi kulturën në bashki, krahasimin me 10 qytete të tjera të së njëjtës madhësi, impakti i kulturës në ekonominë e qytetit, pjesëmarrje në dy festivale, evente të mëdha me publikun, takime me publikun e çdo zone bashkiake, mbledhje online e informacionit mbi kulturën, krijimi i një portali, hartë kulturore ku gjithsecili mund të krijojë profilin e tij online dhe të gjendet ekzaktësisht në hartë etj. Duke qenë e certifikuar nga IAP2 (Shoqata ndërkombëtare për pjesëmarrje publike), jam angazhuar në shumë takime me artistët dhe komunitetin kulturor. Njëri nga këto takime, i cili u drejtua nga unë, theu rekord në historinë e Burlingtonit për pjesëmarrjen e gjerë të artistëve dhe doli në faqe të parë të gazetës lokale.
Gjithashtu jam përgjegjëse për menaxhimin e të gjitha projekteve të artit publik, bazuar në master-planin përkatës. Projekti më i rëndësishëm në fushën artit publik të këtij viti ishte "Spiral Stela", një vepër arti e cila duket në sfondin e posterit tim. Ky projekt kushtoi 115 000 dollarë në total prej të cilave 37 500 u dhuruan nga një donator biznesmen në komunitet. Projekti u përzgjodh nga 114 kandidatë aplikues nga e gjithë bota dhe përfshiu pjesëmarrjen e të paktën 200 qytetarëve, të cilët sollën objekte të ndryshme personale kulturore. Artisti i derdhi këto objekte në bronz dhe i vendosi përreth bazës së veprës së tij të artit. Në foto janë momentet e zbulimit të monumentit. Qytetarët po kërkojnë pjesën që gjithsecili ka kontribuar në vepër.
Duke qenë se tashmë keni një eksperiencë të re në aspektin e qeverisjes vendore. Çfarë do të sugjeroje për drejtuesit e qeverisjes vendore në Shqipëri?
Të vazhdojnë dialogun me publikun. Ne jemi në shërbim të taksapaguesve dhe duhet të sigurojmë që ata të marrin shërbimin dhe kujdesin e duhur nga pushteti lokal. Pjesëmarrja publike në vendimmarrje është shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme për një drejtim të mirë të vendit. Shërbimi ndaj qytetarëve gjithashtu duhet të jetë gjithmonë një shërbim në përmirësim të vazhdueshëm.
Para se të largoheshit nga Shqipëria, ju keni punuar në Bashkinë e Tiranës, në kohën kur ajo drejtohej nga Edi Rama. Sa ju ka ndihmuar kjo eksperiencë?
Më ka ndihmuar shumë. Ne kemi qenë një grup shumë i mirë punonjësish, administrate të përkushtuar ndaj punës në bashki. Drejtimi dhe vizioni i Ramës për Tiranën si dhe shumë projekte të asaj kohe më kanë bërë ta prezantoj me krenari të kaluarën time në Bashki. Një pjesë të mirë të eksperiencës së fituar në Bashkinë e Tiranës e kam përdorur në vendin tim aktual të punës, ku është vlerësuar e pranuar nga të gjithë kolegët e mi.
A do të ktheheshit në Shqipëri, nëse do të kishit një ofertë nga kryeministri Rama?
Para një jave isha në Tiranë me pushime dhe nga çfarë pashë përreth, mendoj se Z. Rama ka një rrugë të vështirë përpara tij. Çdo gjë është e mundur. Mua më pëlqejnë sfidat dhe i mirëpres ato. Ndonëse tashmë jam qytetare kanadeze, vendlindja ime mbetet Tirana dhe zemra ime është shqiptare.
A është i madh komuniteti shqiptar në zonën ku jetoni ju dhe si janë takimet mes jush?
Komuniteti shqiptar është më i dukshëm në Toronto, ku shpesh organizohen festa dhe përkujtime historike të ndryshme. Burlingtoni është me kompakt në popullsi dhe shqiptarët këtu janë të rrallë.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)