Ka qenë Drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku i cili gjatë një konference të zhvilluar sot së bashku me një prej ekspertëve më të mirë të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) ka bërë publike ardhjen e një akseleratori Linear dhe zëvendësimi i aparaturës së kobaltit të vjetër me një burim të ri.

Nga vlerësimi i bërë, kjo aparaturë (tashmë jashtë funksionit) përmbante rrezatim, ndaj sipas ekspertit të ardhur nga IAEA, Pedro Lopez kjo aparaturë do të dërgohet pranë kësaj agjencie dhe do të ndërrohet me një të re. Drejtori i QSUT, Saimir Ivziku ka prezantuar dhe futjen e një tjetre aparature siç është akselerator linear, i cili do të ndihmojë për trajtim të sëmurët me tumore.

“Përsa i përket kobaltit tashmë është rënë dakord me agjencinë për zëvendësimin e burimit të vjetër të kobaltit, do të sillet burimi i ri. Është një investim i përbashkët i agjencisë atomike dhe QSUT dhe nga ana tjetër kemi një lajm tjetër shumë të gëzuar, që tashmë është përcaktuar sjellja e një akseleratori linear të dytë në QSUT", tha Saimir Ivziku, Drejtor i QSUT. Sipas tij, kjo aparaturë do të vendoset pranë Spitalit Onkologjik, ndërkohë që aparatura tjetër e po këtij lloji ku edhe janë duke u kryer punimet për krijimin e bunkerit është duke u vendosur pranë Shërbimit të Neurokirurgjisë.

Porsa i përket aparaturave të tjera që përdoren në QSUT, eksperti i Agjencisë Atomike ka theksuar se institucioni ka aparatura të gjeneratës së fundit të cilat i plotësojnë të gjitha kushtet e rrezatimit, ndërkohë që gjatë këtyre ditëve ai është marrë me trajnimin e stafit që punojnë në këto ambiente.

“Të gjithë i nënshtrohen aparaturave për diagnostikim të cilat janë të shumëllojta dhe në vendin tuaj. Në pjesën më të madhe të tyre përdoret rrezatimi jonizues. Duke e përdorur sa më mirë rrezatimin, mbajmë nën kontroll sëmundje të ndryshme. Matjet tona në QSUT janë në normat e lejuara dhe kështu nuk dëmtohet shëndeti i pacientëve dhe stafit mjekësor. Vetëm një pajisje kobalti është vjetruar dhe agjencia atomike ka marrë përsipër ta rikonstruktojë", tha Pedro Lopez, Ekspert për mbrojtjen nga rrezatimi, Agjencia Atomike.

Përveç pajisjeve që QSUT ka në dispozicion, tani po i kushtohet vëmendje mbrojtjes së stafit dhe pacientëve nga rrezatimi jonizues, të cilët janë faktorë për shfaqjen e një sërë sëmundjeve. /Start/


                                                                                             2012-07-26 15:32