Apartamenti 2XL është një program inovativ, unik në llojin e vet, që është prezantuar nga Tring Digital dhe Vizion Plus për herë të parë për publikun Shqiptar. Një format televiziv ku aktorët nuk kanë scripte apo një skenar të parashkruar, e vetmja gjë që ata njohin mirë është pikënisja e historisë, dhe gjithçka vjen më pas është improvizim nga ana e tyre. Batuta spontane, të qeshura pa fund dhe rikthim i tre aktorëve të veçantë, të humorit shqiptar. Këtë solli mbrëmjen e të dielës, formati i ri televiziv i prezantuar nga Tring Digital dhe Vizion Plus. “Apartamenti 2XL”, një program premierë i parashikuar për ditën e tretë të festimeve të vitit të ri, ngjiti në të njëjtën skenë Gentian Zenelajn, Ermal Mamaqin, Julian Deden dhe aktoren e re, Lisa Kujovska, i cili do t'iu shoqërojë çdo të diel mbrëma. Ky format i ri në mediat shqiptare, erdhi si ide e Turian Hyskës. I ndërtuar pa skenar, bazuar totalisht mbi improvizimit e aktorëve, ku pikënisja e batutave lind nga zëri i moderatorit. Puntatën e parë, "Apartamentin 2XL" e vizituan edhe dy miq të aktorëve, Rozana Radi dhe Ervin Bejleri, të cilët gjithashtu u bënë pjesë e lojës së udhëhequr nga moderatori. Premiera e "Apartamentit 2XL" ishte surpriza e fundit që Vizion Plus kishte programuar për ditët festive. Maratona e transmetimit, e cila u ndoq me një shikueshmëri të lartë, nisi që në orët e para të datës 31 dhjetor me një "Kafe Ekspress" ndryshe, përmbledhjen e departamentit të informacionit, specialen e "By Pass Show", për të finalizuar ndërrimin e viteve me Show-n e madh festiv "Mos u Ftoh". Prodhimet kult të kinemasë botërore si dhe përmbledhjet e spektakleve të njohura në Vizion Plus, ishin alternativat e tjera. "Apartamentit 2XL", ritransmetohet çdo të hënë, në orën 21:00 në kanalin Tring Shqip.

5 Janar 2010