Raundi  i 31-të i  Superiores do të dhurojë një supersfidë e gjitha për tu ndjekur mes Skënderbeut dhe Kukësit. Kryesuesit me meritë të këtij kampionati që praktikisht e kanë mbyllur çështjen e titullit kampion përballë skuadrës që e ka hipotekuar vendin e dytë, por që po përgatitet të dorëzojë gjerdanin e kampionit në duart e korçarëve.


Ky superduel është planifikuar të luhet ditën e premte, megjithatë mund të ketë një ndryshim programi. Të enjten zyrtarët e klubit të Skënderbeut  do të jenë në zyrtat qëndrore të UEFA-s në Zvicër përballë komisionit të Apelit aty ku ky organizëm pritet të marrë një vendim rreth dënimit 10-vjeçar që qeveria europiane e futbollit i imponoi klubit shqiptar më 29 mars. Mësohet se disa nga lojtarët e Skënderbeut mund të kryejnë lidhje direkte nga qyteti i Korçës me anëtarët e komisionit të Apelit për tiu përgjigjur pyetjeve që mund tiu parashtrohen. Skënderbeu shpreson të fitojë pafajësinë ose të paktën një reduktim të dënimit, por këto shpresa më shumë se sa tek Apeli I UEFA-s janë të mbështetura tek gjykata e arbitrazhit sportiv në Lozanë, KAS.


Duke parë që klubi bardhekuq një ditë përpara ndeshjes do ketë këtë impenjim shumë të rëndësishëm, ekziston mundësia që federata shqiptare e futbollit ne dakordësi edhe me Kukësin ta spostojë këtë supersfidë për ditën e hënë, megjithatë ende nuk ka një vendim konkret në lidhje me ndryshimin e programit për duelin mes kryesueve të kampionatit dhe skuadrës që mban pozicionin numër 2 në renditje.


23 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)