Kategoria Superiore
Fierakëve u mjafton goli i Filit për t’iu afruar më shumë Teutës
Apolonia ka ringjallur dje shanset e saj për mbijetesën në Kategorinë Superiore, duke mundur 1-0 Elbasanin, për të ngushtuar në 6 pikë diferencën me Teutën, ndaj së cilës luan në fundjavë. Fierakët kishin zhvilluar disa ndeshje shumë të mira në këtë fazë të tretë, falë edhe shpërthimit të disa lojtarëve të rinj të talentuar në radhët e tyre si Uzuni e Fili.
Ndeshja Elbasani-Apolonia vinte përballë dy skuadrat e fundit të tabelës së klasifikimit, por u jepte mundësinë të dy palëve të afroheshin më shumë me Teutën, që aktualisht mban vendin e 8, jashtë zonës së ftohtë. Në rrethana të tilla, u luajt një ndeshje e hapur, me raste të njëpasnjëshme që u prodhuan në të dy portat. Atanda, Dimo dhe Adekunle krijuan rastet më të rrezikshme për ekipin fierak, ndërsa nga ana tjetër, ishin Malindi dhe Jontça që provuan pa sukses të dërgonin topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga Çakoviç. Avantazhi i Apolonisë erdhi në minutën e 38-të të sfidës, kur i riu Fili shfrytëzoi më së miri një top në zonë të Dimos, duke shtyrë sferën në rrjetë, për të realizuar golin e dytë radhazi në kampionat, pas atij të realizuar kundër Kukësit. Elbasani u orientua edhe më shumë drejt sulmit, por pa arritur të realizonte, ndërsa Apolonia nuk gjeti golin e qetësisë, edhe pse kishte disa mundësi të mira për ta bërë një gjë të tillë, falë hapësirave në mbrojtjen verdheblu. Megjithatë, fierakët festuan në fund të 90 minutave këtë fitore që ishte e para në kampionat që nga momenti kur drejtimin e tyre e ka marrë Artan Mërgjyshi.
Ky i fundit ka qenë shumë i lumtur për atë që e ka cilësuar si fitoren e “finales” për mbijetesën. “Ishte një ndeshje shumë e luftuar, mund të cilësohet si një finale e mbijetesës. Me këtë fitore kemi rritur shanset për mbijetesë. Ishte një takim me shumë agresivitet, diçka normale për një ndeshje të tillë. Pas lojërave të mira po marrim edhe rezultatet”, deklaroi Mërgjyshi. Ndërsa homologu i tij tek Elbasani, Muharrem Dosti, duket se ka filluar të pajtohet me idenë se skuadra do të zbresë në Kategorinë e Parë. “Ekipi ishte i mbingarkuar emocionalisht. Më vjen keq për mosmarrëveshjen në rastin e golit të kundërshtarëve, si dhe se shpërdorojmë shumë raste. Tani mund të them se me 70-80% jemi të rënë”, pranoi ai.
Java 25
Partizani-Flamurtari 2-1
56′ Rrahmani, 77′ Raçiç / 21′ Telushi
Kukësi-Teuta 5-2
32′ Malota, 48′, 82′ Pejiç, 51′, 68′ Pit, / 47′ Kastrati, 57′ Nika
Laçi-Vllaznia 1-0
25′ Veliaj
Skënderbeu-Tirana 1-0
66′ (p) Shkëmbi
Elbasani-Apolonia 0-1
38′ Fili
Renditja
Skuadra Nd. P
Kukësi 25 52
Skënderbeu 25 51
Tirana 24 47
Partizani 24 47
Laçi 24 41
Flamurtari 24 34
Vllaznia 25 27
Teuta 25 19
Elbasani 25 13
Apolonia 25 13
Ky shkrim Apolonia kalon Elbasanin, ringjall shanset e mbijetesës u publikua me pare te Gazeta SHQIP.