BRUKSEL- Një personazh krejt ndryshe nga çfarë më ishte servirur. I qetë, elokuent, me një shikim të mprehtë pas syzeve optike. Takohemi në banesën e tij, në një prej lagjeve të Brukselit. Sapo hyjmë, bie menjëherë në sy ambienti i stërmbushur me libra në gjuhë të ndryshme. Bashkëshortja e Arapit, pas prezantimit, tërhiqet me finesë, duke na krijuar ambientin e nevojshëm për bashkëbisedim të lirë. Në këtë intervistë ekskluzive për Shqiptarja.com, Altin Arapi, i akuzuar si një nga anëtarët e organizatës së ashtuquajtur "Hakmarrja për Drejtësi", rrëfehet mbi vendimin e fundit të Gjykatës së Strasburgut dhe hedh dritë mbi disa fakte të panjohura deri tani. Kam kontaktuar disa herë me ju, por keni refuzuar të më jepni intervistë. Arsyeja? Nuk e kam qëllim në vetvete ekspozimin. Mendoj se, sa herë kam reaguar, kam qenë në rrethana detyruese, për shkak të presionit të lartë politik që ushtrohet. Presion, që ka deformuar dhe vazhdon të deformojë vullnetet juridike. Sigurisht, brenda lirisë së kufizuar, që ato gëzojnë. Si e pritët vendimin e Gjykatës së Strasburgut? Nuk kisha arsye të habitesha. Prej kohësh avokati im belg është paralajmëruar pikërisht për këtë ndërhyrje, që mund të ndodhte. Në këtë kuadër, i është përcjellë në kohë reale emërimi i personave përkatës me ardhjen në pushtet të Berishës, roli, funksioni, si dhe lidhjet e tyre të afërta me ish-kreun e qeverisë dhe ish-kryetaren e Parlamentit. Sigurisht, është e vështirë për një kabinet të huaj avokatie që të konsiderojë probabilitetin e një ndërhyrjeje reale ndaj Gjykatës së Strasburgut. Por, ja që ndodhi. Janë pesë vendime, që nuk më përkasin mua, të dërguara nga autoritetet shqiptare, të cilat nuk mbartin thjesht rolin e një ngatërrese, por kanë shërbyer për të mbyllur dhe rrëzuar pikën më të ndjeshme të juridiksionit të Strasburgut: prezumimin e pafajësisë. Në faqen 17 të vendimit, nëpërmjet paragrafëve 86-89, GJEDNJ përligj dhunimin e prezumimit të pafajësisë, të kryer nga ish-prokurori i përgjithshëm Sollaku ku, nëpërmjet shkresave, që i dërgonte Belgjikës për ekstradimin tim, më konsideronte fajtor përpara se të isha shpallur i tillë. Citoj: "Altin ARAPI është një kriminel i njohur, i kërkuar tashmë për shumë vrasje, grabitje bankash, rrëmbime dhe akte terroriste. ARAPI është kreu i një grupi kriminal të quajtur 'Hakmarrja e Drejtësisë'" (dokument i dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme Shqiptare, firmosur nga Sollaku, n°108/10, dt. 30 tetor 2003). Bazuar sërish në këto dokumente, GJEDNJ ka përligjur edhe deklaratat publike fajësuese të Sali Berishës dhe Bujar Nishanit, ky i fundit në rolin e zëdhënësit të PD-së. Janë këto pesë dokumente, që kanë ndikuar, gjithashtu, në formësimin e një paragjykimi në shqyrtimin e kësaj çështjeje (Gjeneralitetet janë të Altin IBRAHIM Arapi) Nuk mendoni se është thjesht një gabim? Me sa duket, përzgjedhja e këtij modeli manipulimi është bërë me kujdes që, në një rast zbulimi, të merrte alibinë e "ngatërresës", ashtu siç nxituan ta përdorin këtë alibi edhe në media. Por, së pari, nuk duhet të harroni se kjo çështje nisi me "ngatërresa" të tilla, ku akuzat e provuara shkencërisht (gjurmë gishtërinjsh, etj) se vrasja ishte kryer nga Orik Shyti, u transferuan tek Altin Arapi. Dhe kjo u shit gjerësisht në opinionin publik si një ngatërresë njerëzore. Një ngatërresë, që për Gjyqësorin në Shqipëri nuk shkakton asnjë lloj përshtypjeje, por që për Gjyqësorin në Belgjikë është shenja kryesore e manipulimit. Diferenca mes dy vendeve dhe Drejtësive respektive nuk ka vend për t'u komentuar. Po le të marrim versionin e preferuar të manipuluesve, "ngatërresën njerëzore". Nëse ajo e ka burimin nga zyrat e Avokaturës së Shtetit, kjo ngatërresë është provë e papërgjegjshmërisë dhe mungesës së lartë të profesionalizmit, që hetimi administrativ dhe penal duhet detyrimisht ta zbardhë. Ju e përjashtoni mundësinë që kjo ngatërresë të ketë ndodhur nga vetë Gjykata e Strasburgut? Nëse, kjo "ngatërresë" është kryer në Gjykatën e Strasburgut, barra e përgjegjësisë profesionale dhe morale bie mbi trupin gjykues, të kryesuar nga gjyqtari italian, Guido Raimondi. Siç thotë edhe avokati im belg: "Si është e mundur që një trup gjykuesish profesionistë të dhunojnë parimet elementare të së drejtës, siç janë detyrimi për saktësi, principi i kujdesit, parimi i proporcionalitetit. Mos harrojmë se Gjykata e Strasburgut është gardiania absolute e së drejtës për një gjykim të drejtë. Dhe kur kjo Gjykatë dhunon haptazi këtë të drejtë, këtu tronditet besimi, që vetë qytetarët e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës duhet të kenë ndaj këtij institucioni". Ku bazohej ankimini juaj në Strasburg? Kryesisht në dhunimin e së drejtës për një gjykim të drejtë, në dhunimin e prezumimit të pafajësisë, të drejtës për liri dhe siguri, të drejtës për një proces të rregullt,etj. Mendoni se keni qenë pjesë e një procesi të padrejtë? Faktet flasin vetë. Po ju rikujtoj vendimin e ministres së Drejtësisë belge që, tek akuzonte autoritet shqiptare se kishin tentuar të përdornin dhe manipulonin policinë belge, u shkruante, ndër të tjera, se "Gjurmët e gishtërinjve, të dërguara nga autoritetet shqiptare, që duhet të tregonin se Arapi ishte në vendin e ngjarjes kur Genci Sina u vra, nuk u dërguan veçse pasi autoritetet belge u kishin dërguar autoriteteve shqiptare gjurmët e gishtërinjve të Arapit". Dhe bëhet fjalë pikërisht për dyshimin se këto gjurmë ishin manipuluar. Se eksperti daktiloskopik i këtyre gjurmëve Orest Afezolli ishte tashmë një person me precedent për kryerjen e falsifikimit të shumë ekspertizave. Dhe i njëjti ekspert kishte kryer një ekspertizë, të shpallur të pavlefshme nga Gjykata e Shkallës së Parë, më 12 shkurt 2003, në lidhje me çështjen "Hakmarrja për Drejtësi". Asnjë dëshmitar nuk tha në sallën e gjyqit që vrasësi është Altin Arapi. I vetmi dëshmitar, që deklaroi se vrasësi isha unë, me një detajim përshkrues mahnitës për çdo vesh gjyqtari dhe ku i kishte ngelur pa përmendur vetëm adresa e shtëpisë sime, ishte gruaja e Sollakut, Zengjineja. E cila gënjeu, paturpësisht, nga fillimi deri në fund! Kjo ishte arsyeja që e larguan dëshmitarin kyç të çështjes, shoferin A.T., i cili deklaroi se vrasësi ishte me flokë gështenjë. Bazuar në këtë nevojë, kërcënuan me arrest dhe e dënuan me një vit e gjysmë burg dëshmitarin tjetër B.D., që deklaroi po të njëjtën gjë, se vrasësi ishte thuajse biond. Dhe shokët e kolegët e Zengjines, po ashtu paturpësisht, tek shkruanin vendimin e tyre, vulosnin se, "siç u vërtetua nga dëshmitarët, vrasësi është Arapi". Ripërsëris se i vetmi dëshmitar që tha se vrasësi isha unë ishte gruaja e atij, që kërcënoi publikisht gjyqtarët, që pushuan çështjen e "Hakmarrjes për Drejtësi" në vitin 2003, Theodhori Sollaku. Mos harrojmë se, për një vit e gjysmë rresht, tek e mbanin në paraburgim të fejuarën time, prokurorët e çështjes, kur ajo kërkonte, sipas ligjit, të njihej me provat e akuzës, i deklaronin: "Imelda, po nuk ka parë gjë gruaja e Sollakut, se perdet e makinës ishin të mbyllura..." Çka e detyroi atë të bënte një deklaratë publike për thirrje të dëshmitarëve okularë. Dhe Sollaku mashtroi, duke marrë dhe gruan e tij për dore drejt këtij mashtrimi! Ku i kanë hedhur dëshmitë e dëshmitarëve okularë, të Bulevardit të madh të Tiranës? Thonë se vrasja u krye në mes të bulevardit? Asnjë logjikë nuk mund të pranojë se këta dëshmitarë nuk janë pyetur. Ku i kanë çuar dëshmitë e kamerierëve, që e thonë me bindje në dokumentet e tyre se i kanë shërbyer vrasësit mbrëmjen e vrasjes? Ku i kanë çuar ekspertizat e gjurmëve të gishtërinjve të kryera në tavolinë ku paskërka pirë edhe ngrënë vrasësi? Sigurisht që në kosh, pasi ato thonë që vrasësi nuk është Arapi. Duke eliminuar të gjithë dëshmitarët dhe provat që provonin pafajësinë time, ngeli e vetme dhe e pakontestueshme, me një dëshmi mbresëlënëse, vetëm gruaja e Theodhoriut, ish-shërbëtorit të Berishës që, pasi e shfrytëzoi, e shtrydhi si një limon dhe, pasi s'kishte ç'të nxirrte më nga ai, e hodhi në koshin, ku ka hedhur shumë të tjerë. Mendoni se ish-prokurori i përgjithshëm ka manipuluar dosjen? Për ç'arsye? Arsyeja bazike është mbulimi i vrasjes së shoferit të tij. Pse? Më mirë se ai dhe gruaja e tij, nuk i di kush arsyet. Faktet flasin vetë. Këto fakte ua shkroi dhe komunikoi edhe Brukseli. Por, kam edhe një mesazh për të: "Duhet të reshtësh me veprimet e tua kriminale ndaj meje dhe bashkëshortes sime. Çdo veprim që ke kryer me ndihmën e "dhëndërushit" belg të Shkodrës, jo vetëm na është transmetuar në kohë reale, por edhe - siç duhet të të kenë njoftuar - është denoncuar tek autoritet e Drejtësisë së Brukselit. U është shpjeguar në detaje ku keni ndërhyrë, shtyrë, manipuluar, mashtruar dhe dezinformuar, me synim inkriminimi. Zbrapsu! Jepu fund tentativave të tua dhe përpiqu të gjesh paqen shpirtërore në familjen tënde!" Në fakt, sipas informacioneve që unë kam - dhe nuk mund ta mohoj se burojnë nga Prokuroria - ju konsideroheni si krijuesi i platformës, ideatori i skemës bazë të organizimit dhe formave të rekrutimit, hartuesi i vetë emërtesës "Hakmarrja e Drejtësisë". Të njëjtat burime thonë se rrezikshmëria juaj është e lartë, edhe për shkak të formimit ushtarak që keni pasur? Nuk e di në duhet t'ua marr si kompliment përcaktimet mbi inteligjencën e lartë individuale të atij niveli, që mund të krahasohet me ato të strukturave të shërbimeve sekrete të një shteti, apo duhet ta konsideroj si dozë të një humori të zi, bjerraditës, që vazhdon ende të kryejë efektet e një bari hipnotik. Gjykata shqiptare e ka pranuar falsifikimin, se modeli i shkrimit tim është marrë dhe shfrytëzuar për të hartuar gjithçka ju përmendni më sipër. Pra, nuk keni pasur si qëllim të vrisnit ish-presidentin Sali Berisha, të rrëzonit qeverinë demokratike dhe të sillnit klikën komuniste në pushtet? (Qesh) Jam më se i sigurt se kam një sistem të mirë të menaxhimit të anktheve dhe shqetësimeve të mia, por dyshoj nëse pala në fjalë arrin të menaxhojë dëshirat, ëndrrat dhe iluzionet personale, për t'u shndërruar në hero të demokracisë dhe martir të kombit shqiptar. Disa lloj ëndrrash janë të vështira për t'u bërë realitet! Çfarë prisni nga Strasburgu? Pas vendimit të shpallur më 30 korrik 2015, është depozituar nga avokati belg një ankim me urgjencë në Gjykatën e Strasburgut, ku kërkohet korrigjimi dhe rishikimi i vendimit të dhënë, rithirrja e të njëjtit trup gjykues dhe, pas korrigjimit, ankimimi të deklarohet i pranueshëm dhe i bazuar. Avokati belg ka denoncuar rastin edhe në Këshillin e Evropës ku, ndër të tjera, kërkohet mbikëqyrja e korrigjimit dhe rishikimit nga GJEDNJ. Ndërsa avokati shqiptar i është drejtuar ministrit shqiptar të Drejtësisë, Nasip Naço, me një letër, ku kërkohet nisja e një hetimi administrativ dhe penal mbi çështjen në fjalë. ( Ankimimi i drejtuar ministrit të Drejtësisë Nasip Naço nga avokati i Altin Arapit ) ( Kërkesa drejtuar Strasburgut për rishikimin e vendimit ndaj Altin Arapit ) ( Vendimi i GJEDNJ që deklaron të papajtueshëm padinë e Altin Arapit ) Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 Shtator 2015 Redaksia Online (d.a/shqiptarja.com) 19 Ndiqni Shqiptarja.com në Facebook dhe në Twitter TAG: altin arapi gjykata e strasburgut drejtesia