Ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka zhvilluar këtë të martë një bashkëbisedim me gazetarët në lidhje me performancën e ekonomisë në 8 muajt e vitit.
Rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit ka qenë 2.96 për qind. Jemi mbi mesataren e rajonit, ka thënë Ahmetaj, sipas të cilit, të ardhurat kanë patur një rritje të konsiderueshme krahasuar me 8-mujorin e vitit 2015.
Janë 190 mln dollarë më shumë të ardhura këtë 8-mujor, ka thënë Ahmetaj.
Sa i takon shkallës së papunësisë, ministri ka saktësuar se, ajo u ul në 15.9 për qind. Lajm i mirë në këtë drejtim është ulja e papunësisë tek të rinjtë, ka theksuar Ahmetaj.
Ai ka thënë se, qeveria mbetet e vendosur në zbatimin e reformave të thella në ekonomi, të cilat do të mundësojnë sipas tij edhe uljen e borxhit.
Reformat janë platforma ku mbështetet rritja. Kemi ulur borxhin publik falë mirëmenaxhimit dhe kemi paguar detyrimet e prapambetura ndaj biznesit, ka vijuar Ahmetaj.
Ai ka shtuar më tej se, periudha janar-gusht 2016 ka qenë më e mirë me të njëjtën periudhë të një viti më parë sa i takon bizneseve, me 7.943 njësi më shumë.