Në kërkim të kohës së humbur, skulptori rikthehet me ekspozitën e tij më të fundit,
një stil ndryshe nga të mëparshmet.



“Kohë e humbur” mund të jetë ajo që digjet brenda një oxhaku, por edhe ajo që harxhon një artist për të mbijetuar. Mbi këtë koncept, skulptori Arben Bajo e ka ndërtuar ekspozitën e tij në Galerinë Kombëtare, duke e rikthyer atë pas dy vjetësh me një ekspozitë personale. Por kësaj radhe, skulptori gjirokastrit sjell punë shumë të ndryshme nga ato të mëparshmet. “Punët e mia më të fundit, janë ndërtuar në formën e oxhakëve, ku koha digjet. Ndërkaq në pjesën e jashtme kam përzier disa lloje qytetërimesh, siç janë germat arkeologjike. Kohën e kuptojmë nga ato që gjejmë”, rrëfen skulptori. E më mirë së çdo gjë tjetër e shpjegon thënia një poeti :“Koha është skulptori më i mirë, ajo na rrudh na dredh”, që përbën esencën e ekspozitës më të fundit nga Bajo. Janë shtatë skulptura dhe një instilacion në dispozicion të artdashësve të kryeqytetit. I vendosur në Greqi prej vitesh, atje i duhet të punojë për vepra të porositura, ndërkohë që këtë kohë po të kishte mundësi, do ta shpenzonte në favor të artit të tij. Pikërisht kallëpet apo negativet e skulpturave që i ka bërë këto kohë, artisti i ka marrë dhe i ka vendosur si instilacione në masivet në formë oxhaqesh që zënë vend në Galerinë Kombëtare. Shenja dhe simbole paraqiten mbi oxhaqe në një metamorfozë pafund, duke krijuar një dialog me universin, si në një ritual magjik, ku oxhaku shndërrohet në një portë të hapur drejt qiellit. Skulptori ka risjellë disa lloje qytetërimesh. Kështu, obeliskë, vula damkosjeje, anijen e Hermesit, Gorgonë, Qesarin, Aleksandërin e Madh, monedha të lashta, trini të shenja, kapak ungjilli, imazhe bizantine, gjethe kurore, hedhësen e diskut, e shumë simbole të tjera të ruajtura në memorien e kohës, si për të damkosur kohën e përtejme.

“Lost time” nuk është më e tillë, kur artisti punon mbi të dhe rikrijon mbi atë që dikur quhej e humbur. Arben Bajo shpjegon nëpërmjet këtyre rreshtave të hedhur se çdo të thotë për të një “kohë e humbur”, orët që ikin dhe s’i gjejmë më. Këtë pasazh disi romantik, ai nuk mund ta zgjasë pafund me fjalë. E vetmja mënyrë nëpërmjet së cilës ai mund të shprehë më mirë veten është skulptura. Për disa muaj rresht në studion e tij në Athinë, ai i dha jetë “Kohës së humbur”, nëpërmjet negativëve, apo ashtu siç i quan ai, “mitrave” të skulpturave. “Të gjitha këto skulptura janë realizuar me mbetjet e punëve që unë kam punuar në Greqi”, thotë ai.

Skulpturat në miniaturë të Bajos u ngjasojnë oxhaqeve dhe nëse i referohemi tekstit të tij në hyrje të shkrimit, jo pa qëllim ato u ngjajnë oxhaqeve të lartë. Pikërisht pranë oxhakut, aty na ikën ndër duar koha. Ekspozita e Bajos është hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe vjen dy vit pasi ai prezantoi në të njëjtën hapësirë ekspozitën “Mythes and Faces”. Bajo është konsideruar si një emër premtues në skulpturë. Linguisti Yannis Kostopoulos e sheh Bajon si një artist interesant dhe që rrëfen tepër nëpërmjet skulpturës. Në skulpturat në formë oxhaqesh të Bajos, sheh të ngjizur ikjen e kohës në një estetikë artistike. Vetë skulptori pohon se kaq vendosur të kthehet përfundimisht në Shqipëri, duke i dhënë më shumë hapësirë punëve të tij.