TIRANË - Ministri në ikje i Mbrojtjes, Arben Imami ka pritur me protokoll ministra mbrojtje të gjysmës së globit. Por nuk ka pritur sot pasuesen e tij, ministren e re shqiptare të Mbrojtjes, Mimi Kodheli.
Kjo kuptohet teksa lexon njoftimin zyrtar të MM në faqen online të insitutcionit, por dhe teksa sheh fotot e ceremonisë së sotshme të marrjes së detyrës nga ministrja e parë grua e Mbrojtjes, Kodheli.
Mimi shfaqet duke bërë nderimet, e shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, komandantët e Forcave, gjeneralë, drejtorë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA.
Gjithashtu ishin të pranishëm atashetë ushtarakë të vendeve të NATO dhe atyre partnere të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të Zyrës së ODC dhe CUBIC. Në këtë ceremoni ministrja e Mbrojtjes Kodheli është shoqëruar edhe nga disa deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Por jo nga ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami.
Fillimisht, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, u prit me Truproje Nderi dhe Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura.
Më pas, shoqëruar nga gjeneralmajor Gjunkshi, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka nisur detyrën e re në zyrën e saj të punës.
Më herët, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, mori pjesë në ceremoninë që u zhvillua në Pezë me rastin e 71-vjetorit të Konferencës së Pezës, ku në emër të qeverisë ka përshendetur të pranishmit.
(Në foto: Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli sot, e shoqëruar nga shefi i Shtabit, gjeneral Xhemal Gjunkshi).
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)