10/11/2011  Dekreti i Presidentit Topi pritet të marrë votëbesimin e Kuvendit


Presidenti Bamir Topi dekretoi dje Ardian Fullanin për një mandat të dytë në postin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Ndryshe nga dekreti i tij për kreun e KLSH-së, i cili u rrëzua nga deputetët e Kuvendit, kandidatura e Fullanit pritet të marrë dhe miratimin nga mazhoranca në seancën e së enjtes parlamentare. Kjo pasi në seancën e fundit plenare Ardian Fullani ishte një ndër tre emrat që kryeministri Berisha propozoi si anëtar për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për këtë mandat, kandidatura e të cilit u miratua nga Kuvendi. Pas dekretimit të djeshëm nga Presidenti Topi kandidatura e Fullanit si guvernator për mandatin e ardhshëm 7-vjeçar do t’i kalojë për miratim Kuvendit të Shqipërisë, i cili mund ta përfshijë votimin e tij që në seancën e nesërme plenare. Nga ana tjetër, nisur nga baza ligjore, miratimi i dekretit të Presidentit kërkon një shumicë të thjeshtë prej 71 votash në Kuvend. Por duke qenë se Fullani ishte një ndër tre emrat që qeveria propozoi si anëtar për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për këtë mandat, kandidatura e tij pritet të miratohet pa debate. Nga ana e saj mazhoranca ka deklaruar publikisht (edhe një javë më parë) se e vlerëson punën e Fullanit në krye të Bankës së Shqipërisë. Ardian Fullani ka një diplomë në financë dhe një në drejtësi. Në vitin 1992 ai ka qenë zëvendësguvernator i Bankës së Shqipërisë e në vijim drejtor i Departamentit të Jashtëm. Fullani ka punuar edhe në Bankën Italo-Shqiptare si dhe ka qene president i Shoqatës Shqiptare të Bankave. Më 28 tetor të vitit 2004 Fullani u zgjodh për herë të parë guvernator i Bankës së Shqipërisë.


Qëndrimi i opozitës


Rama: Fullani është kandidatura më e gabuar


Kundër vendimit të Presidentit Topi për riemërimin e Ardian Fullanit të krye të Bankës së Shqipërisë është shprehur vetë kreu i opozitës Edi Rama. Kryetari i Partisë Socialiste e konsideroi dje si një zgjedhje të gabuar kandidaturën e përzgjedhur nga Presidenti i Republikës për guvernator të Bankës së Shqipërisë. “Në këndvështrimin e Partisë Socialiste nuk është kandidaturë e gabuar, është kandidatura më e gabuar. Mundësia e një mandati të dytë për zotin Fullani është pamundësi për të riparuar dëmet e konsiderueshme të mandatit të tij të parë. Për interesin e financave kombëtare dhe të popullit shqiptar uroj që rrjedha e rrezikshme ku kanë hyrë punët me financat e këtij populli të ndalet një orë e më parë”, - u shpreh Rama në një deklaratë të shpërndarë dje për mediet, ku thekson votën kundër kësaj kandidature. Por me gjithë votën “kundër” të opozitës, Fullani duket se do ta ketë të lehtë të votohet nga ligjvënësit shqiptarë, pasi ai gëzon përkrahjen e mazhorancës, e cila është e mjaftueshme për t’i siguruar atij mandatin e dytë në krye të BSH-së.