Nuk ka vetëm Barcelona në fjalorin e superkampionit. Lionel Mesi është kthyer në Argjentinë për ndeshjen e radhës të ekipit të tij kombëtar me synim fitoren ndaj Kilit në eleminatoret e kupës së botës të vitit 2014.



Për Mesin, Argjentina mbetet një plagë e hapur, pasi ai kurrë nuk ka arritur jo vetëm të fitojë trofe, por as të shkëlqejë në radhët e përfaqësueses, një dimesion që nuk duhet kurrësesi t’i mungojë një lojtari të madh.



“Kurrë nuk jam ankuar. Jam ndjerë mirë me të gjithë trajnerët. Shpresoj që të luajmë sa më mirë, të kontrollojmë topin dhe të krijojmë raste e gola, pra që Argjentina të jetë ekip i madh. Kili luan futboll të shpejtë dhe të vendos nën presion, ndaj do të jetë një ndeshje e vështirë. Ndeshjet nuk fitohen kurrë nga një njeri i vetëm, as te kombëtarja dhe as tek Barcelona, askund. Na duhet një ekip i mirë për këtë”, ka deklaruar Mesi.



Disa fjalë edhe për Tevezin, të cilit i uron më të mirën. “Nuk e njoh situatën e Tevezit. Nuk di se ç’po ndodh me të dhe ekipin e tij. E vetmja gjë që mund të them është që Tevezit i dua vetëm të mirën dhe i uroj gjithë të mirat, asgjë më shumë se kaq”, vijon Mesi.