Ikona e futbollit holandez, Arjen Robben i ka dhënë lamtumirën Kombëtares holandeze në ndeshjen ndaj Suedisë, ku shënoi dy golat e fitores edhe pse ky triumf ishte i papërfillshëm për Kombëtaren dhe tifozët që tashmë kanë një humbje të dyfishtë, largimin e Robben e mbi të gjitha faktin që nuk do të jenë pjesëmarrës në Kupën e Botës, diçka që nuk ndodhte që ne vitin 2002.


Tulipanëve iu nevojiteshin plot 7 gola që të prisnin biletën për në Rusi, një mision që rezultoi i pamundur. Robben ka qenë një ndër lojtarët më të rëndësishëm për Përfaqësuesen e tij që kur debutoi në të në vitin 2003, asokohe vetëm 19 vjeç. Që atëherë ai ka marrë pjesë në tre kompeticione të Kupës së Botës, dhe tre Kampionate Europiane.


33-vjeçari u pa shumë i emocionuar dhe gati duke lotuar në përfundim të takimit në Amsterdam Arena, ku deklaroi se tashmë është koha për ti kaluar stafetën gjeneratës tjetër. Padyshim që karriera e tij ndërkombëtare e shtrirë në këto 14 vite ka qenë e  mbushur me suksese. Ai ka shënuar një total prej 37 golash e ka dhënë 29 asist në 96 prezencat që numëron me fanellën e përfaqësues. Arjen Robben ishte protagonist në finalen e Botërorit 2010,  me Spanjën që u shpall kampione me rezultatin e ngushtë 1-0.  4 vite më vonë ishte pjesë e ekipit të Louis van Gaal në Boterorin e Brazilit ku Kombëtarja e tij u rendit e treta. Para se cikli i tij të mbyllej kolegë e tifozë e kanë cilësuar Robben si Messin e Holandës.


11 tetor 2017 (gazeta-Shqip.com)