Arjen Roben ndjen se te Bajerni i Mynihut nuk ka asnjë arsye për panik pas humbjes disi të habitshme të tyre me rezultatin 4-2 në finalen e Superkupës së Gjermanisë kundër Borusias së Dortmundit në fundjavë. Kampionët e Bundesligës dështuan ta fitojnë trofeun e tyre të parë nën drejtimin e trajnerit Pep Guardiolës, pasi skuadra e Jurgen Klop zhvilloi një ndeshje “klinike” kundër mbrojtjes së brishtë të Bajernit. Pavarësisht kësaj, Roben ka theksuar se humbja ishte një njollë e thjeshtë, por jo një shenjë paralajmëruese e gjërave që do të vijnë në “Allianz Arena”.
“Ne duhet të kemi një sy kritik për punën tonë, por nuk ka asnjë arsye për panik dhe absolutisht zero arsye për t’u shqetësuar. Borusia e Dortmundit e meritoi fitoren, por kjo është më shumë një çështje e këtyre 90-minutave lojë. Unë mendoj se nuk duhet të pësonim katër gola, por kjo erdhi për shkak të stilit tonë sulmues të të luajturit. Nuk duhet të ndalemi shumë në këtë humbje, por ama duhet të mësojmë nga gabimet tona” - ka deklaruar Arjen Roben, i cili ishte autori i dy golave në Superkupën e Gjermanisë, duke luajtur si titullar edhe pse ishte përfolur se me ardhjen Giardiolës hapësirat për të mund të ngushtoheshin. Në mungesë edhe të Riberisë, Roben e ka bërë më së miri liderin e skuadrës, pavarësisht se Bajerni çaloi shumë në mbrojtje dhe për pasojë humbi ndeshjen. (E.Ilnica/balkanweb)