TIRANE- Rrethinat e Durrësit janë vënë në qendër të një projekti ndërdisiplinor që është emërtuar projekti “Hinterlandi i Dyrrachiumit”. Projekti është një bashkëpunim i Institutit të Arkeologjisë në Tiranë dhe universitetit të Helsinkit dhe drejtohet nga Dr. Brikena Shkodra dhe Dr. Björn Forsén.
 
Për këtë projket aktualisht në terren po punojnë 6 arkeologë, tre nga të cilët nga Finlanda, si dhe katër studentë të degës së arkeologjisë në Universitetin e Tiranës. Specialistët po punojnë pranë rrugës me drejtim nga Kavaja, që ndjek vijën e rrugës Egnatia, si dhe atë të kodrave të Arapajt dhe Rromanatit, në ndjekje të Ujësjellësit të periudhës romake, që sillte ujin e pijshëm nga lumi Erzen në Durrës. Projekti ka lindur si nevojë e përbashkët për sudimin e një zone të survejuar në nivele ekstensive, ndërsa universiteti i Helsinikt është mjaft i interesuar për krahasimin e të dhënave arkeologjike në territorin e Ballkanit perëndimor, pas përvojës së kërkimeve të ngjashme në territorin e Thesprotisë.
 
Bëhet fjalë për një projekt ndërdisiplinor që parashikon kombinimin e arkeologjisë, historisë, gjeologjisë dhe gjeofizikës me synim studimin e historisë së zhvillimit dhe shfrytëzimit të territorit në jug të Durrësit që prej periudhave prehistorike deri në atë moderne.
Angazhimi i ekspeditës që do të përfundojë më 27 prill u përqëndrua në grumbullimin e të gjitha punimeve arkeologjike të publikuara për territorin nën studim, duke synuar strukturimin e metodologjisë së kërkimit për vitet e ardhshme.

Shkrimi u publikua sot 26 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)