Pa arkiv asnjë shtet nuk do mund të dokumentonte hapat e tij në histori. Një pasuri kombëtare dokumentare për të cilën edhe Arkivi Qendror i Shtetit ndihet krenar në ditëlindjen e tij të 60-të. Në ekspozitën e çelur me këtë rast, janë prezanuar dokumentet më të vjetër të këtij fondi të rrallë, që datojnë shekullin e gjashtë e deri në ditët tona. Këtij arkivi i referohemi të gjithë për të gjetur shpjegimin e duhur për faktet historike.

Nevila Nika, Drejtore e Arkivit Qendror të Shtetit

“I rëndësishëm është sepse ky institucion i shërben shtetit. Shumë i drejtohen këtij institucioni për të marrë dokumentacionin. Në dokumentat për këtë i ruajmë. Pasuria e Arkivit Qendror Shtetëror, është e jashtëzakonshme, fillon me shekullin e 6-të dhe deri në ditët tona. Ka dokumente nga më befasueset, që ne nuk i dimë. Informatizimi ka ecur mjaft mirë. Ka nisur me numerizimin dhe vazhdon. Janë numerizuar treguesit për ish-pronarët, të persekutuarit politikë.”

Valentina Duka, Historiane

“Arkivi është ushqim i historianit. Arkiva përmban dokumentet primare, pa të cilat nuk shkruajmë dot historinë e Shqipërisë. Ne historianët shqiptarë përveç këtyre dokumenteve, duhet të krahasojmë edhe me dokumentet e arkivave të tjerë në botë dhe ne duhet të seleksionojmë, se ka dokumente të cilat kanë vlerë të madhe, ka edhe dokumente që kanë emocione, historiani duhet të dijë të seleksionojë.”

Arkivi i Shtetit përfshin në fondin e tij edhe dokumentet më të reja të Shqipërisë se pas viteve ’90, dokumente të cilat për t’u bërë pjesë e historisë së shkruar duhet të kalojnë nëpër sitën e kohës.

Valentina Duka, Historiane

“Arkivi hapet mbas 25 vjetësh dhe ne do të dimë të japim mendimin tonë pas hapjes së tij.”

Disa nga dokumentet më të vjetra të ekspozuara, në këtë muzë që do të jetë i hapur për vizitorët janë Kodiku i Purpurt i Beratit, Traktati i Fizikës i mësuesit nga Voskopoja Teodor Kovaljotit, dokumente të komuniteteve fetare, Regjistri Franceskan, Ditari i At Palë Dedaj, objekte të vjetra, koleksionet e Gjykatave gjatë Perandorisë turke, ku pasqyrohet jeta e përditshme.