Qeveria gjermane duhet të marrë vendim deri në fund të javës, nëse do të furnizojë sërish me armë Arabinë Saudite. Parisi dhe Londra bëjnë presion. Por qeveria gjermane ngurron.



Çdo gjë shkon mirë midis Gjermanisë dhe Francës. Të paktën ministri i Jashtëm Heiko Maas (SPD), u mundua të krijonte këtë përshtypje këtë të mërkurë në Berlin. Ai nuk arriti të kujtonte që një gjë e tillë ka ndodhur edhe më parë, ku një anëtar i qeverisë së Parisit merr pjesë në mbedhjen e kabinetit qeveritar gjerman, siç ndodh këto ditë me prezencën e ministrit të Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian.


Të dy politikanët ndodhen tani në oborrin e Ministrisë së Jashtme, limuzinat presin që të dërgojnë ata të dy në kancelarinë gjermane, vendin ku mbahen takimet e qeverisë. Maas thotë: “Me këtë vizitë bëhet e qartë, se miqësia gjermano- franceze jo vetëm që jeton, por është në formë shumë të mirë”. Dhe Le Drian plotëson me respekt, se “ka folur me ministrin Maas për shumë tema”.


Sikur të mos kishte qenë grindja për eksportet e armatimeve. Franca dhe Britania e Madhe janë të zemëruara, që Gjermania ngurron të marrë pjesë në projekte të përbashkëta, sidomos kur bëhet fjalë për Arabinë Saudite.


Ambasadorja franceze në Berlin, Anne-Marie Descôtes tha pa diplomaci në fillim të javës, kur publikoi një tekst në “Akademinë për çështjet e sigurisë”, në të cilën shkruan se firmat franceze të armatimeve janë duke u riorientuar, duke prodhuar pajisje pa pjesë këmbimi gjermane.


Arsyeja ka të bëjë me atë që politika gjermane e armatimeve nuk është e parashikueshme. Avione dhe tanke duan të prodhojnë dhe të shesin të dyja vendet, prodhime me pjesë këmbimi gjermane, të cilat nuk mund të furnizohen aktualisht. Një shembull tjetër, Arabia Saudite ka porositur 48 avione luftarakë të tipit Eurofighter.


Sasia më e madhe e pjesëve të këmbimit vijnë nga Britania e Madhe, por Gjermania prodhon pjesën qendrore, që zë 30 përqind të prodhimit të përgjthshëm. Aktualisht, kjo nuk lejohet të furnizohet.