TIRANË-Ish-ministri i Jashtëm Marko Bello ka komentuar çështjen me armët kimike siriane që diskutohet gjerësisht prej ditësh se mund të asgjësohen në territorin shqiptar.
Me një koment në rrjetin social, "Facebook", Bello hedh poshtë pretendimet se NATO të detyron një shtet të asgjësojë armët kimike. Sipas tij, e vërteta është se ka qenë zelli i tepruar i drejtuesve të shtetit që e ka lehtësuar problemin me armët siriane.
“Ka disa ditë që disa të ashtuquajtur analistë po përpiqen të gënjejnë opinionin publik se gjoja shkatërrimi në Shqipëri i armëve kimike nga Siria "është një detyrim që kemi si vend anëtar i NATO-s"!
Kjo është gënjeshtra më e madhe, pasi NATO nuk ka asnjë lidhje direkte dhe nuk duket e angazhuar për këtë çështje. Na servirin pastaj Rezoluten e OKB-së si detyrim për ne, kur ajo rezolutë nuk është fare detyruese, aq më tepër që Izraeli i ka hedhur dhjetëra rezoluta të OKB-se në kosh, sa here ato i janë dukur se vënë në rrezik tërësine e tij tokësore.
Pretendojne se presioni na vjen nga SHBA, e cila ka rene në kurthin e Rusisë, duke pranuar ofertën e saj për "çarmatosjen në mënyrë paqesore" të regjimit gjakatar sirian.
E vërteta është se SHBA, aleati ynë më i rëndësishëm dhe strategjik, nuk detyron askënd me pahir, por ka qenë zelli i tepruar i drejtuesve të shtetit shqiptar ai që ua ka lehtesuar sikletin të gjithë atyre që u bënë pjesë e zgjidhjes së problemit sirian. Kam parasysh presidentin, kryeministrin, partitë politike parlamentare, përfshi edhe opozitën që fshihet si struci”.
Sipas Marko Bello, përballë kësaj çështje është populli shqiptar që është ndërgjegjësuar se çfarë dëmi do mund të sjellë një verim absurd i qeverisë që ata kanë votuar, ndërsa i fituari më i madh, regjimi i Assad.
“Veprim absurd dhe foshnjarak i atyre që i ka votuar për të qeverisur dhe jo shkatërruar të ardhmen e tyre dhe të fëmijeve të tyre.
I fituari i madh: regjimi gjakatar i Bashar Al Assad-it, i cili bashke me Rusine që e armatosi me armë të shkatërrimit në masë, sot kanë rastin të zgërdhihen dhe tallen me shqiptarët, duke ia kaluar tokës së tyre helmet e tmerrshme kimike që kishin destinacion krejt tjetër! Shumë mirë na e bëjnë!”, shkruan Bello në "Facebook".
(d.b/BalkanWeb)