Dy shtetasit britanikë, Robin Arnold dhe Dino Kristodulu, që akuzohen për marrëdhënie homoseksuale me dhunë ndaj të miturve, kanë kërkuar në seancën e djeshme gjyqësore lirimin nga burgu, pasi kanë mbaruar afatet e hetimit. Procedimi penal ndaj tyre ka filluar tre vjet më parë, përkatësisht në vjeshtën e vitit 2006, kohë në të cilën shpërtheu skandali i ashtuquajtur "Fëmijët e tij". Për këtë arsye, mbrojtësit ligjorë të britanikëve kërkuan lirimin, megjithëse ndaj tyre nuk është dhënë asnjë dënim. Gjyqtarja Shefkie Demiraj, pasi ka dëgjuar pretendimin e mbrojtësve, ka kërkuar një javë kohë për të studiuar me hollësi afatet e gjykimit dhe hetimit dhe nëse koha e qëndrimit në burg ka përfunduar, atëherë Arnold dhe Kristodulu do të gjykohen në gjendje të lirë, megjithëse akuza që kanë mbi shpinë konsiderohet me rrezikshmëri shoqërore. Një seancë më parë, i mituri me inicialet G.B., i cili kishte ardhur nga SHBA-ja për të dëshmuar, i tregoi gjykatës me anën e një videokonference, duke shmangur në këtë mënyrë ndikimin e të pandehurve, se shtetasit anglezë e detyronin që të kryente marrëdhënie homoseksuale me ta dhe të ndante shtratin për disa vite rresht. Për gati katër orë, 17-vjeçari, që kishte jetuar në qendrën "Fëmijët e tij" që në moshën 10-vjeçare, ka akuzuar të pandehurin Robin Arnold. Sipas dëshmisë, djali është shprehur se pas dushit, Robin Arnold kërkonte edhe më shumë. "Çdo natë flija në të njëjtin shtrat me Robin Arnold edhe David Braun. Që të dy kanë abuzuar seksualisht me mua. Në të njëjtin shtrat herë kryente marrëdhënie me mua Robin dhe herë David. Unë mund të largohesha nga krevati vetëm kur ata të kishin mbaruar qejfin e tyre", ka deklaruar i mituri, sipas së cilit, qendra përdorej vetëm për të kënaqur epshet e tre shtetasve britanikë.



S.Ç.