Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. Kryebashkiaku i arrestuar të premten nuk ka pranuar asnjë nga akuzat e ngritura ndaj tij, ndërsa ka deklaruar se është i gatshëm të përballet me ligjin.


Hetimet ndaj kryetarit të Bashkisë së Kamzës kanë nisur në tetor të këtij viti pas padisë së bërë nga kompania “Gjoka Konstruksion”, e cila ishte përjashtuar nga tenderi për rrugën Valias i Ri – Varrezat e Laknasit e emëruar si rruga “Zgjimi”.


Fondi i tenderit për këtë rrugë ka qenë 81 milionë lekë dhe vlerësimi i ofertave është bërë në datën 27 maj 2013. Pas skualifikimit, kompania “Gjoka” ka bërë apelim në të gjitha shkallët, duke arritur që të fitojë të drejtën për kryerjen e punimeve. Sipas hetimeve, Bashkia e Kamzës nuk ka zbatuar këtë vendim të komisionit të prokurimit publik, duke autorizuar kryerjen e punimeve nga një kompani tjetër, ndërkohë subjektit të dëmtuar i janë krijuar pengesa deri në mesin e muajit shtator. Pas kësaj kohe, me të marrë njoftim se në rrugën objekt tenderi kryheshin punime nga një tjetër kompani, subjekti i dëmtuar ka bërë padi në prokurori.


Ndërkohë policia e kryeqytetit ka referuar në prokurori materiale shtesë për Xhelal Mziun. Materialet lidhen me gjetjen në banesën e tij të një vule të KZAZ-së nr.27 që i përket qendrës së votimit në shkollën e mesme “Ibrahim Rugova” në Kamzë. Në lidhje me këtë fakt, policia kërkon që Xhelal Mziu të hetohet nga prokuroria edhe për akuzën e “falsifikimit të vulave dhe stampave”.