SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 28-06-2011 10:43

Tiranë- Biznesmeni i Bllokut, Altin Kore, u arrestua të premten në Rinas, pak minuta pasi zbriti nga një charter. 35-vjeçari i kërkuar në SHBA po kthehej nga pushimet verore në Antalia të Turqisë, kur ka ndjerë shtrëngimin e prangave në duart e tij. Burime nga policia bëjnë të ditur se arrestimi i tij u bë pas mbërritjes së një urdhër-arresti nga Interpol Uashingtoni, përmes së cilit Kore akuzohet për trafik droge në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 35-vjeçari është arrestuar rreth orës 10:15 minuta të 24 qershorit, kur së bashku me pasagjerët e tjerë të udhëtimit nga Antalia, iu drejtua kabinës së kontrollit të pasaportave. “Arrestimi i tij është bërë për arsye se nga kontrolli i bërë në sistemin TIMS rezulton se ky person është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Uashingtoni, më datë 3 mars 2011, pasi Gjykata e Teksasit në SHBA ka lëshuar urdhër-arrest për të”, - thotë një burim i policisë për MAPO-n. Por si është e mundur që vetëm pak ditë më parë, Kore kishte mundur të kalonte në Rinas? Burimet e mësipërme sqarojnë se urdhër-arresti për të është aktivizuar në sistemin TIMS vetëm më 15 qershor 2011, kohë kur 35-vjeçari ndodhej jashtë Shqipërisë. Altin Kore, personi i arrestuar katër ditë më parë në aeroportin e Rinasit, akuzohet se është një ndër drejtuesit e një grupi të fuqishëm në shpërndarjen së drogës në Dallas të Amerikës. Në këtë përfundim kanë dalë hetimet e kryera nga specialistët e DEA-s në Amerikë, ku rezulton se Kore ishte anëtar i grupit që jo vetëm furnizonte Dallasin me kokainë, por siguronte sasi të mëdha kokaine për mafian italiane të Camorra-s. Tri ditë pas arrestimit, 35- vjeçari Altin Kore është përballur me Gjykatën e Tiranës, e cila ka caktuar masën e sigurisë 60 ditë burg, deri në përfundim të procedurave për ekstradimin e tij drejt SHBA-ve. Sipas urdhër-arrestit të lëshuar nga autoritetet amerikane, mësohet se mbi të rëndojnë një sërë akuzash, duke nisur që nga “bashkëpunim me synim shpërndarjen e kokainës”,“zotërim i një arme zjarri, në vijim të një krimi për trafikim lëndësh narkotike”. Në bazë të hetimeve të kryera në Dallas, ka rezultuar se midis periudhës janar 2007 dhe 14 gusht 2008 në Distriktet Lindore dhe Veriore të Teksasit, Altin Kore ishte anëtar i një organizate droge që shpërndante sasi kokaine në shumë kilogramë. Hetimet tregojnë se Kore ishte një prej drejtuesve të organizatës, që lehtësonte marrjen e kokainës nga kartelet meksikane, për ta transportuar dhe shpërndarë atë. Më 4 maj 2008 Kore kërkoi 3 kg kokainë nga një burim furnizimi. Kokaina u trafikua në SHBA nga Meksika në SHBA dhe u shpërnda në Dallas, Teksas dhe Indiana. Për më tepër, një sasi lëndësh narkotike u dërguan në Shqipëri dhe Itali. Organizata e drogës fshihte lëndët narkotike në qirinj aromatizues, që dërgoheshin me anije në Europë, në kontenierë ngarkesash. Hetimet tregojnë se në total Kore është përgjegjës për 20 deri në 25 kg kokainë të trafikuar. Gjithnjë sipas hetimeve të kryera në SHBA, rezulton se Kore bashkëpunonte me kartelet e drogës në Meksikë, por edhe me pjesëtarë të Camorrës italiane, në mënyrë që droga të trafikohej dhe në Europë. Në rast se Altin Kore shpallet fajtor për akuzat e ngritura, ai rrezikon burgimin e përjetshëm.