Federata Shqiptare e Futbollit ka dalë me një qëndrim zyrtar pas ndalimit nga Policia e Shtetit të trajnerit të përfaqësueses shqiptare të futbollit fermave, Armir Grima, si i lidhur me një grup kriminal në Shkodër. Qeveria e futbollit i bën thirrje opinionit sportiv dhe jo vetëm që të mos dalë në përfundime të parakohshme për një njeri të shkëlqyer dhe me reputacion në qytetin verior. Ja qëndrimi i plotë i FSHF-së:


Federata Shqiptare e Futbollit është njohur me ngjarjen e fundit të komunikuar zyrtarisht nga ana e Policisë së Shtetit, për ndalimin e z.Armir Grima, aktualisht trajner i ekipit kombëtar të femrave të futbollit. FSHF në qëndrimin e saj është e prirur të besojë në pafajësinë e plotë dhe mospërfshirjen e trajnerit Armir Grima në rrjetet kriminale për të cilën është ndaluar nga ana e autoriteteve të rendit. FSHF mbetet shumë sensitive karshi kësaj ngjarjeje, por njëherësh është në pritje të zbardhjes së plotë të akuzës, që rëndon mbi trajnerin Grima, duke pritur verdiktin e drejtësisë.


Një moment i tillë nuk mund të përbëjë objekt sulmi karshi Armirit, për sa kohë drejtësia nuk ka dhënë vendimin e saj, madje as nuk ka nisur ende të bëjë punën e saj.


FSHF do të ndjekë me shumë qetësi dhe seriozitet ecurinë e kësaj ngjarjeje, duke ftuar njëherësh të gjithë të presin mbylljen e procesit dhe të frenojnë emotivitetin e tyre momental karshi Grimës, që mbetet një familjar i shkëlqyer dhe një njeri me reputacion dhe personalitet të lartë në ambientin e futbollit shqiptar, dhe jo vetëm.


22 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)