Arrestimet dy ish-deputetëve socialistë, Arben Ndoka dhe Arben Çuko, mbrëmjen e djeshme ishin vërtet të befasishme. Por, nga organi i akuzës mësohet se hetimet për dy ish-ligjvënësit e PS kanë nisur 2 vite më parë.


Prej dhjetorit të vitit 2016, janë arritur të zbulohen lidhje të Çukos dhe Ndokës me grupe kriminale dhe është hedhur ditë mbi aktivitetin e tyre të jashtëligjshëm. Emri i tyre ka dalë në përgjimet e grupit kriminal Avdyli, 6 anëtarë të së cilit u arrestuan mbrëmjen e djeshme në Shijak.


Përgjimet e Prokurorisë e nxjerrin Arben Ndokën mik të afërt të një prej anëtarëve të familjes Avdyli.


Ndoka akuzohet për veprat penale Falsifikimi i dokumenteve, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve, Shpërdorimi i tokës, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash.


Ai dyshohet si pjesë e një grupi kriminal që ka legjitimuar abuzimet me troje shtetërore në zonën e Lezhës dhe Kurbinit.  Grupi hetimor zotëron prova që tregojnë se Ndoka së bashku me disa zyrtarë të tjerë në Lezhë kanë ndikuar në tjetërsimin e pronave te Rana e Hedhun dhe në Kune nga ranishte në tokë arë, të cilat i kalonin në pronësi të të afërmëve të tyre.


Ndërkohë që për Çukon ka fashikuj hetimor ku tregohet se atij i kërkohej transferimi i të burgosurve në këmbim të parave dhe ish-deputeti i ka pranuar.


Një nga rastet e dokumentuara nga ana e Prokurorisë është ai ku Arben Çuko ka përfituar para dhe një automjet për transferimin e të dënuarit Olsi Karagjozi, i arrestuar në janar të vitit 2013 dhe i dënuar me 14 vjet e 8 muaj burg.


Në kohën kur ky person u arrestua, Policia shprehej se ai ishte paguar për 5 vrasje, të cilat kishin dështuar, por ai u dënua vetëm për një ngjarje që iu provua, kur plagosi dy persona.


Çuko u shkarkua dy muaj më parë nga detyra dhe rolin e tij si Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve e mori Stefan Çipa.


Ky ndryshim bëhet për të përmirësuar punën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, veçanërisht në drejtim të rritjes së sigurisë së brendshme dhe kontrollit si dhe rritjes së efikasitetit të luftës kundër korrupsionit në sistemin e burgjeve, njoftonte ministria e Drejtësisë asokohe.


22 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)