Me urdhër të Prokurorisë, policia ka ndaluar drejtorin e Hipotekës në Shkodër, Zamir Leka.


Mësohet se drejtori Leka është arrestuar teksa ndodhej në punë në zyrat e hipotekës së Shkodrës.


Policia ka shkuar aty duke e prangosur drejtorin dhe duke e shoqëruar në komisariatin e policisë vendore. Ai akuzohet për korrupsion.


Zamir Leka u emërua me 18 janar të këtij viti si drejtor i hipotekës dhe pas 8 muajsh në atë pozicion policia dhe prokuroria e arrestojnë.


Bashkë me të, sipas burimeve, është arrestuar edhe shtetasja Frida Mirashi, punonjëse e Hipotekës së Shkodrës. Vetëm pak ditë më parë Prokuroria lëshoi urdhër ndalimi edhe për shtetasin Mirjam Bletaj, ish-jurist në hipotekën e Shkodrës gjatë viteve të fundit si dhe shtetasin Sokol Tirana që bashkë me shtetasin tjetër Johan Zefi dyshohen si sekserët që do i merrnin një mijë euro shtetasit Ndoc Taraj, ky i fundit pronar i një objekti që ishte i gatshëm të paguante para për të nxjerrë në mënyrë të përshpejtuar certifikatën e pronësisë.


Gjykata e Shkodrës i la në arrest me burg ish-juristin Mirjam Bletaj dhe dy sekserët e dyshuar Sokol Tirana dhe Johan Zefi, ndërsa dha masën e sigurisë arrest shtëpie për shtetasin Ndoc Taraj.


Para këtyre arrestimeve në hipotekën e Shkodrës që përfundojnë me ndalimin e drejtorit Zamir Leka, ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj paralajmëroi se shumë shpejt do të niste goditja e rasteve korruptive në hipoteka duke filluar kështu nga Shkodra.


25 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)