Kreu i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu është vënë në pranga me akuzën e korrupsionit. Mziu është arrestuar pasi akuzohet se ka shpërdoruar fondet publike në një tender.Kryetari i Bashkisë Kamzë është arrestuar nga forcat e Policisë së Tiranës, rreth orës 18:00. Arrestimi i tij është bërë me urdhër të Prokurorisë Tiranë.


Ende nuk është bërë e ditur se për çfarë shkeljeje bëhet fjalë specifikisht, por Mziu akuzohet se ka kryer favorizim në një tender. Në aferën për të cilën akuzohet Mziu, janë të përfshirë edhe disa persona të tjerë.46-vjeçari u zgjodh në krye të degës së PD-së së Kamzës në vitin 2005 dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të PDSH-së. Ndërsa në vitin 2007, ai u zgjodh kryetar i Bashkisë Kamëz.


Pak muaj më parë, Mziu u përfol se ishte ofruar për të ndryshuar kah politik. Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare nga PD-ja, ai tentoi të “strehohej” të LSI-ja.


Akuza


Arrestimi i Mziut ka lidhje me tenderin e një rrugë dytësore në Valias. Pas arrestimit nga Policia e Tiranës, Gjykata e Shkallës së Parë me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës ka dhënë masën “arrest me burg” bashkë me Drejtorin Juridik të Bashkisë Kamzë, Atli Hoti.


Prokuroria ka kërkuar arrestin me burg për Mziun dhe Hotin, pasi ka dyshime se kanë kryer veprime të kundërligjshme në rastin e prokurimit të tenderit të rrugës.


Hetimet për Mziun nisën pas kallëzimit të një firmë, e cila kishte fituar tenderin për ndërtimin e kësaj rruge, por që u skualifikua nga Komisioni i Prokurimit të Bashkisë Kamzë.


Edhe bashkëshortja e Mziut nën hetim


Edhe bashkëshortja e kreut të Bashkisë së Kamzës, Vjollca Mziu, është nën hetim në të njëjtën kohë. Gjykata ka dhënë vendimin e precedimit penal në gjendje të lirë.


Vjollca Mziu akuzohet si bashkëpunëtore e një rrjeti grabitjesh dhe shitjess së bizhuterive dhe sendeve me vlerë.Bashkëshortja e Mziut, dyshohet se bashkëpunon me një rrjet prej 8 grabitësish të bizhuterive, të cilët sendet e vjedhura në dyqane apo banesa të qytetarëve, i çonin për t’i shitur në dyqanin e saj.