Mbrëmjen e djeshme në Igumenicë është arrestuar një i shumëkërkuar shqiptar. Policia greke në bashkëpunim me sektorin e kontrollit të pasaportave të Sajadhes, arrestoi Edmond Begon, 48-vjeç, një eksponent i krimit të organizuar, i cili rezulton me emra si Mondi Bega, Saimir Sina apo si Belul Gjahtari.


Ai është ndaluar për llogari të shtetit italian që e ka dënuar për trafik të drogave të forta dhe drejtimin e një organizate kriminale, por për ndalimin e tij në Greqi ka reaguar edhe Partia Demokratike, nëpërmjet nënkryetarit Edi Paloka.


Në një deklaratë nga selia blu, Paloka tha se Edmond Bego ka lidhje me politikanë të rëndësishëm në vend dhe e drejtoi gishtin nga kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla.


A është Taulant Balla politikani që e ka marrë në mbrojtje trafikantin e drogës dhe bën biznes me të?, pyet Paloka.


Mbrëmë vonë u mësua se policia greke ka arrestuar një prej eksponentëve të krimit të organizuar, anëtarit të bandës së Aldo Bares, i dënuar në Itali me 21 vite burg për trafik ndërkombëtar droge, biznesmenin e lidhur ngushtë me pushtetin e Edi Ramës të quajtur Edmond Bego, tha deputeti i PD,


Ai nënvizoi se pavarësisht se ka qenë i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, trafikanti ndërkombëtar i drogës, jetonte i lirë në Shqipëri ku drejtonte edhe një biznes ndërtimi nën mbrojtjen politike të kësaj qeverie.


Sipas Palokës kemi të bëjmë me një anëtar i bandës famoze të Aldo Bares dhe PD në vijim do bëjë transparencë pse ligji ska vepruar ndaj Edmond Begos, që njihet me emër tjeter per policine, Italine e me emer tjeter per biznesin. Sot kerkojme qe Prokuroria te nise hetimet per te zbardhur arsyet e mosveprimit nga policia e shtetit.


Nëse Edmond Bego nuk do ishte nisur me pushime në Greqi sot shqiptarët nuk do dinin se një kriminel i rrezikshëm ka vazhduar të pasurohet lirisht duke u lidhur direkt me disa nga njerëzit më të pushtetshëm në vend edhe pse ishte i dënuar për trafik ndërkombëtar droge në Itali, shtoi Paloka.


Në vijim ai ngriti disa pyetje për të cilat kërkon përgjigje nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa.


1-Si eshte e mundur që një trafikant ndërkombëtar droge i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, arrestohet nga policia greke por jo nga policia shqiptare?


2-Si është e mundur që jo vetëm nuk arrestohet por bën i qetë biznes në Shqipëri?


3-Çfarë lidhjesh me njerëz të pushtetshëm e kanë detyruar Policinë e Shtetit të mbyllë sytë dhe të mos shohë një trafikant ndërkombëtar droge që shëtit i lirë nëpër Shqipëri?


19 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)