TIRANE- Një punonjës i repartit të forcave speciale në Tiranë është vënë në pranga, pasi dyshohet se në bashkëpunim me disa persona të tjerë mashtronte qytetarë të ndryshëm duke përfituar prej tyre 3 mije euro në këmbim të një vize Shengen.

Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se në kuadër të operacionit “Ikona”, janë arrestuar në flagrancë shtetasit: Agron Muharrem Hoxha, 54 vjeç, dhe Shkurt Mark Toma, 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie në Repartin Special RESI. Ndërkaq është shpallur në kërkim shtetasi me inicialet L.K dhe janë dërguar materialet per ndjekje ne gjëndje të lirë për shtetasin Romeo Bici, 53 vjec, me banim në Tiranë.

Dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, merrnin përsipër nxjerrjen e vizave Shengen në ambasada të shteteve të huaja të atashura në Tiranë, kundrejt përfitimit të shumës prej 3000 euro për një vizë.

Qytetarëve të ndryshëm, që dëshironin një vizë Shengen, shtetasit e lartëpërmendur u siguronin vizën duke u kërkuar si dokument vetëm pasaportën e tyre, ndërsa dokumentet e tjera i siguronin në mënyra të ndryshme duke i fallsifikuar, me synim marrjen e një vize Shengen. Hetimi ka filluar që në muajin shkurt, kur këta shtetas janë ndjekur me metoda speciale të hetimit.
(e.n/BalkanWeb)